Fondi Monetar Ndërkombëtar [FMN] në një projeksion për bruto-produktin vendor ka paraparë që Kosova të ketë rritje për vetëm 2.8 për qind këtë vit (2022). Edhe pse më 2021 ishte 9.5 për qind, po sipas këtij fondi.
E njohësit e fushës së ekonomisë këtë çështje po e shohin si mjaft shqetësuese.
Bie fjala, Lekë Musa, në një bisedë për Nacionalen, është shprehur i shqetësuar për vlerësimin e FMN-së për ekonominë e Kosovës.
Musa ka thënë se për këtë gjë deri më tani nuk ka asnjë veprim nga Qeveria e Kosvës për të dalë nga kriza pas efekteve që ka krijuar lufta Ukrainë-Rusi, e të cilat sipas tij janë më të rënda se të pandemisë.
“Kjo është shqetësuese sepse nuk ka sinjale se qeveria është duke marrë ndonjë iniciativë për të nxjerrë nga kriza sektorë të caktuar. Lufta në Ukrainë së bashku me ngritjen e çmimeve ka treguar efekte më të këqija se pandemia”, ka thënë ai.
Musa ka treguar se Qeveria duhet të stimulojë sektorët e ekonomisë, sepse në të kundërtën do të ketë largim të fuqisë punëtore dhe depresion shtesë.
“…dhe çfarë duhet bërë në këto raste, është që qeveria të stimulojë sektorë të caktuar që do të japin shtytje dhe do t’i tërhjekin sektorët tjerë pas vete, përndryshe do të jetë shumë keq sepse do të ndikojë në depresion shtesë dhe largim të fuqisë punëtore, e që pastaj ka efekt zinxhiror”, ka nënvizuar Musa.
E ekonomisti Ismet Mulaj, mungesën e investimeve kapitale dhe rritjen enorme të inflacionit po e sheh si efekt negativ në ekonominë e Kosovës.
Ai për gazetën Nacionale ka thënë se për të pasur një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, duhet që të kemi investime kapitale.
“Natyrisht që është shqetësuese dhe kjo vjen si pasojë e rritjes enorme të inflacionit, mungesës së investimeve kapitale dhe zvogëlimit të aftësisë blerëse në treg. Prandaj është jetik krijimi i ambientit miqësor për investime si dhe rritjen e investimeve kapitale në projekte që mund të rrisin punësimin. Do të duhej njs diskutim i gjerë me akterët ekonomikë se çka mund të bëhet dhe si mund të rritet trajektorja e rritjes së qëndrueshme ekonomike në Kosovë”, ka thënë Mulaj.
Ndërsa profesori i ekonomisë, Muhamet Sadiku, në një bisedë për Nacionalen ka thënë se vlerësimet Qeverisë se do të kemi rritje 10 për qind të ekonomisë, nuk janë të sakta, pasi sipas tij, Kosova ka shënuar rënie drastike ekonomike në dy vitet e fundit.
“Unë e di që nga ana e brendshme janë paraqitur se Kosova po shënon rritje ekonomike deri në 10 për qind, por duhet pasur parasysh që këto dy vitet e kaluara Kosova ka pësuar rënie ekonomike drastike dhe tani përpjekjet janë që në vitet e ardhshme të kompensohet kjo rritje ekomomike”, ka thënë ai.
Më tej Sadiku, po i sheh si joreale deklarimet e zyrtarëve të shteti se ekonomia e vendit është më e larta ndonjëherë.
“Nëse në vitin 2020 kemi pasë rënie ekonomike rreth 8 për qind si rezultat i pandemisë, tani është e pakuptimtë të themi tani se do të kemi rritje 10 për qind ekonomike, që do të thotë sipas vlerësimeve të brendshme, do ta kompenzojmë rreth 10 për qind humbjen e vitetve të kaluara dhe të kemi 10 për qind rritje ekomoike të re kjo dhe nuk është aspak reale”, ka thënë ai.
Profesori i ekonomisë po e sheh si të vështirë rikthimin e ekonomisë së Kosovës në pozitën që ka qenë para dy viteve.
“Rikthimi i Kosovë në pozita të para dy viteve do të marrë kohë dhe nuk do të jetë i lehtë”, ka nënvizuar ai.
Çka thuhet në raportin e FMN-së?
Raporti i FMN-së i edicionit të muajit prill ka dhënë shifra jo të mira për qeveritarët që flasin për rritje ekonomike por kanë harruar se inflacioni është ngritur në 10 për qind.
Sipas raportit, rritja ekonomike në Kosovën gjatë Qeverisjes Kurti për vitin 2022 është më e vogla ndonjëherë në Kosovë, përveç vitit 2012.
“Rritjen e ekonomisë sonë (prej 10,53% të Bruto Produktit Vendor) po e shpërndajmë për rritje të mirëqenies së qytetarëve duke e ndërtuar kështu shtetin social”, u shpreh kryeministri Albin Kurti më 12 prill, kur kishte vendosur të ndante nga 100 euro për shumë kategori sociale në vend.
Vitin e kaluar, ekonomia e Kosovës ishte rritur për 9.5 për qind sipas raportit, por fatkeqësisht njëjtë kishte ndodhur edhe me rritjen e çmimeve bazike (po 9.5 për qind) sipas FMN-së.
Sa i përket inflacionit, Kosova sipas FMN-së nuk ka vuajtur nga inflacioni i lartë si tash asnjëherë në histori përveç vitit 2008 – kur ishte shpallur e Pavarur – e i cili kishte qenë në shifrat 9.3 për qind.
Në vitin 2019 – një vit para se Kurti të merrte pushtetin për herë të parë – shkalla e inflacionit kishte qenë 2.7 për qind. Në vitin 2018, 1.1 për qind. Në vitin 2017, 1.5 për qind. Në vitin 2016, 0.2 për qind. Dhe në vitin 2015 -0.5 për qind.