Vdekja e Mino Raiolës është lajmi që ka tronditur mesditën e sotme botën e futbollit. Një nga agjentët më të fuqishëm dhe më të rëndësishëm të futbollistëve ka ndërruar jetë në moshën 54-vjeçare për shkak të një sëmundjeje të rëndë.
Më 12 janar dolën thashethemet për gjendjen e tij shqetësuese shëndetësore. Ai ishte shtruar në spital dhe u operua në “San Raffaele” të Milanos për një sëmundje të mushkërive që nuk lidhej me Covid.
Stafi i tij, megjithatë, nxitoi të theksonte se ato trajtime mjekësore që iu ishte nënshtruar përfshiheshin në një cikël kontrolli të planifikuar prej kohësh. Raiola, sipas stafit, pavarësisht asaj që u zbulua nga gazeta gjermane ‘Bild’, nuk ishte në kujdes intensiv dhe as i rrezikohej jeta.
Mohime në këtë kuptim kishin ardhur edhe nga profesor Alberto Zangrillo.
Shefi i Anestezisë dhe Reanimacionit të Përgjithshëm dhe atij Kardio-Torako-Vaskular konfirmoi versionin e dhënë nga bashkëpunëtorët më të afërt të menaxherit.