Deputeti i PD-së, Belind Këlliçi, u shpreh se Kuvendi Kombëtar i 30 Prillit i ka të gjitha potencialet që të kthehet në historik. Këlliçi tha se proceset përgjatë 8 muajve të fundit treguan se partinë nuk e bën as vula dhe as godina.
“Çdo qytetar e kuptoi se partinë nuk e bën as vula dhe as godina, por sakrificat idealet, vokacioni dhe besimi në një kauzë”, tha Këlliçi.
Deputeti demokrat u shpreh se Edi Rama nuk do të kishte pasur as edhe një shans për të fituar nëse përballë do të kishte pasur një opozitë të vërtetë.
“Me një opozitë të vërtetë që nuk luhatet sipas interesave, Edi Rama nuk do kishte pasur as edhe një shans. Gjendja e padurueshme në Shqipëri do të ndryshojë. Rruga e ndryshimit nuk kalon nga qeveria.
I vetmi ndryshim që kemi në dorë të bëjmë dhe do të bëjmë është ai që vjen përmes ndryshimit tonë. Nuk do të jemi opozitë fasadë. Kjo rrugë do ta ndryshojë edhe Shqipërinë”, tha Këlliçi.
Ai u shpreh në fund se Kuvendi do të jetë një fillim i ri ku në fund vota do të vendosë për gjithçka.
“Duhet të vendosim sot votën e lirë si modelin e vetëm për të ndërtuar strukturat e partisë në të ardhmen.
Ky Kuvend sot do të jetë një fillim i ri, një kapitull i lirë, ku secili do thotë atë që beson, dhe në fund vota do të vendosë për gjithçka”, u shpreh ndër të tjera Këlliçi.