Këtë të mërkurë, Kancelari gjerman, Olaf Scholz, do të presë në selinë e tij në Berlin kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe më pas, presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.
Këtë e bëri të ditur zëvendës-zëdhënësi i qeverisë gjermane, Wolfgang Büchner, gjatë konferencës së rregullt të qeverisë gjermane për mediat.
Në qendër të të dy takimeve veç e veç do të jenë “qëndrimet ndaj luftës agresore të Rusisë në Ukrainë, bashkëpunimi rajonal dhe marrëdhëniet dypalëshe mes dy vendeve”, tha Büchner.
“Kurti dhe Vuçiç do të takohen në Berlin, po atë mbrëmje, në prani të ndërmjetësuesit të BE-së për çështjen e dialogut, Miroslav Lajçak, i cili vjen në Berlin me ftesë të kancelarit Scholz” njoftoi radioja gjermane Deutsche Welle.
Ky takim u konfirmua edhe nga Brukseli zyrtar. “Kancelari gjerman Scholz ftoi presidentin Vuçiq dhe kryeministrin Kurti për vizita të veçanta dypalëshe në Berlin më 4 maj. Me ftesë të kancelarit Scholz, Emisari Lajcak do të udhëtojë gjithashtu në Berlin për t’u takuar me kancelarin dhe më pas për të zhvilluar një takim informal të veçantë me të dy, presidentin Vuçiq dhe kryeministrin Kurti”, i tha gazetës Express zëdhënësi i BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Peter Stano.
Takimi në mes të kancelarit gjerman dhe kryeministrit Kurti do të zhvillohet në orën 15:00 të datës 4 maj, e ku do të flitet për situatën aktuale të sigurisë pas ngjarjeve në Ukrainë, çështjet rajonale dhe për raportet dypalëshe në mes të Kosovës dhe Gjermanisë.
Ndërkohë me presidentin e Serbisë, Scholz do të takohet në orën 17 e 30, dhe do të diskutojnë për agresionin e Rusisë në Ukrainë, çështjet dypalëshe Serbi-Gjermani, dhe çështjet ekonomike dhe rajonale.