I mban afër djemtë e saj, por vetëm në fotografi. Emine Dvorani, nga fshati Terstenik i komunës së Drenasit, edhe këtë festë të Bajramit po e kalon me kujtime të hidhura nga lufta e fundit, ku ajo humbi pesë djemtë e saj në masakrën e Verbocit.
Hysniu, Avniu, Veliu, Lumniu e Hakiu janë djemtë që zonjës Emine ia mori lufta e viteve 1998-1999, mungesën e të cilëve ajo po e ndien edhe pas më shumë se dy dekadave.
“Po më mungojnë edhe sot, bash qysh më mungojnë secilin Bajram, por këtë Bajram më shumë se pardje e kanë pasur përvjetorin”, më thotë mallëngjyeshëm nëna e pesë dëshmorëve të kombit.
Eminja, tash në pension, jeton ende në Terstenik, me djalin e saj të vogël, Hajrizin, i cili i mbijetoi katrahurës së luftës. Krahas Hajrizit, ajo ka edhe dy vajza, Fitorja dhe Ziza, të dyja të martuara.
Ajo e ka vështirë të flasë për ndodhinë më tragjike të jetës së saj. Pas shumë insistimeve e vetëm pasi e njoftova se vijmë nga i njëjti fshat, 70 vjeçarja pranoi të rrëfente historinë e saj.
“Fshini pak fotografitë”, i ‘urdhëron’ familjarët e saj nëna Emine, duke u bërë gati për të folur.
Posa ulet mbi divan, Eminja kujdeset që pranë të ketë një fotografi të vogël ku janë të gjithë djemtë e saj që i mungojnë shumë.
Në të djathtën e në të majtën e saj, qëndrojnë dy nipat e Eminës, që mbajnë emrat e Hysniut e Avniut, dy djemve më të mëdhenj të çiftit Dvorani.
Me krenari, ajo tregon gatishmërinë e djemvë të saj për të luftuar për çlirimin e Kosovës.
“Krejt kanë dashtë me luftu po s’kanë pas armë, patën shku njëherë në Gllogjan tani për Shqipëri, po nuk patën mund me kalu kufirin. Fort u patën merzitë që s’mujtën me marrë armë e me luftu qysh duhet. Prej të 5-ve, veç djali i madh Hysniu, ka arritur me e siguru një armë, këta kanë shku pas tij në UÇK, po s’kanë luftu”, tha Eminja.
Qëndresa e familjes Dvorani, rrëfen Eminja, filloi qysh në vitin 1990, kur pas hyrjes së masave të dhunshme në Kosovë, Idrizi, kryefamiljari, mbeti i papunë. Idrizi, që ndërroi jetë vite më parë, ishte punëtor i postës, e kundërshtoi largimin e dhunshëm nga puna, rrëfen Eminja.
“Në një video të bërë nga RTP-ja, para postës në Drenas, ku shumë punëtorë ishin mbledhur për të kundërshtuar largimin nga puna, ishte edhe Idrizi së bashku më Hakiun. Atëherë Hakiu, i ka pas 10-vjet, aty mundesh me pa edhe e dëgjon t’u i thanë babës së vet ma mirë më mbetë pa punë se sa me punu me serb”, tha Eminja, më një buzëqeshje që rrezatonte krenari për të birin e vrarë.
Hajrizi, biri i vetëm i familjes Dvoran i mbijetuar nga lufta, ndërhynë për të shpjeguar saktësisht se ku mund të gjindet video për të cilën krenarisht fliste e zonja e shtëpisë.
“Mundesh më i lyp arkivat që i kanë televizionet prej para-lufte, qaty e kem pa. Shumë mirë shihet dhe zani nihet mirë. Kur Hakiu, i drejtohët babës më qato fjalë”, tha Hajrizi.
Eminja, që rrëfen me shumë vështirësi, thotë se gjatë viteve 90-ta jetonin me vështirësi si një familje me tetë fëmijë.
“Punojshin djemtë argat napër ara, aty e ka marrë sheqerin në gjak se u mërzitke se s’kishim çka me hangër, veç çka na jepshin tjerët”, shton Eminja.
Ajo ka pak gjëra që i kujtojnë djemtë e vrarë, pasi që rrobat e fotografitë u dogjën së bashku me shtëpinë gjatë luftës.
Madje, fotografitë që mbante në dorë, Eminja me shumë mund i mblodhi nga të afërmit e saj.
“S’kem shumë fotografi të tyne, se na i kanë kall krejt në luftë, qeto janë çka kem mund më i mbledhë ku i kem pas najkun, te naj i afërm edhe ndonjë që ka shpëtu pa u kall. Shyqyr që i kem qeto e mundem me i kujtu, me ia u pa fytyrat”, përlotet Eminja teksa sytë e saj lëvizin nga fotografia në fotografi.
Fotot e mëdha që qëndrojnë prapa nënës Emine, i sjellin me kujdes dy nipat e saj, të cilët mbajnë emrat e xhaxhallarëve që s’i panë kurrë.
“Ky është Hysniu, e ka emrin e djalit të madh e ky është Avniu e ka emrin e djalit të dytë”, i prezanton zonja nga Drenica.
Me shaka i pyeta dy djelmoshat nëse e dinë se nga i morën emrat që mbajnë. Por, në vend të tyre, u përgjigj gjyshja e tyre, Eminja.
“Po, po gjithë ju tregojmë se pse i kanë emrat Hysni e Avni. Kur pati vendosë djali më u lanë emrat, i kam thanë veç nëse i thirrim më emër të plotë, jo me ua shkurtu. Kur po i thirri në emër ka më duket që po i thirri djemtë e mij. Ky Avniu, i ka ngja krejt djalit të vogël, Hakiut. Me e pas ditë që i ngjan kaq shumë, ia kisha lanë emrin e tij”.
Vetëm Hysniu, djali i madh i familjes, kishte arritur të siguronte armë për t’iu bashkuar radhëve të UÇK-së, ndonëse të gjithë vëllezërit Dvorani tentuan të uniformohen. Ai do të dekorohej pas vdekjes, me urdhrin “Hero i Kosovës’ nga ana e ish presidentit Hashim Thaçi.
“Hysniu u kanë i vetmi që pati mundësi më marrë armë, atëherë veç kush ka arritë me siguru armë u regjistru në UÇK. Këta patën shku në Gllogjan e prej aty janë nisur për Shqipëri, po s’kanë mujtë me dalë andej kufiri e u patën kthy. Kjo si ka ndalë që me shku ka t’shkon Hysniu, e kanë percjellë kam pas kame”, shpjegon ajo.
Gjatë kohës së luftës, Hysniu, që ishte i sëmurë, mezi ishte mjekuar.
“E patën mjeku Kryqi i Kuq, po si e morën vesh që është ushtar i UÇK-së, i kishin pas thanë me u largu se rrezik me e mbajt një ushtar. Kur është largu nga aty, i ka marrë do barna me vete, po si kanë zgjat shumë ka fundi gati u kanë i palëvizshëm. Tani, patën shku në një fshat këtu afër në Verbovc, se u kanë hapësirë ma e sigurt, plotë ushtarë të UÇK-së janë kanë aty”.
Ndonëse ishte shpallur zonë e sigurt nga UÇK, fshati Verboc, përkundër qëndresës, ishte thyer nga ushtarët e policët e Serbisë. Si pasojë, 120 civilë e ushtarë të UÇK-së u vranë, pasi fillimisht ishin torturuar në lokacione të ndryshme. Në mesin e të vrarëve ishin edhe 5 djemtë e Emines.
“Këta i patën marrë në Verbovc, s’kanë mujtë me ikë, se Hysnia s’ka mujtë me ecë e këta kanë qëndru me i ndihmu. Një herë e kanë marrë Lumniun me 13 shokë, i kan çu në xhami, ku i kanë torturu për 2 orë, pastaj i kanë pushkatu. Tani e kanë marrë dhe Hakiun edhe ky u kanë me shokë, e kanë çu në xhami të Verbovcit, ku aty janë kanë edhe Hysniu, Avniu dhe Veliu. Pasi i bashkojnë, i kanë torturu do ditë pastaj i kanë ekzekutu. Na e kem ditë veç për Lumniun që e kanë vra për këta të tjerët s’e kem ditë. Po, pas lufte i kemi kërku në spitale e morgje. Në një fshat këtu në Çikatovë, e kanë zbulu një varr masiv, aty i kem gjetë”, tha nëna Emine.
“Shyqyr që s’i kam pa se çka kanë heq, se s’kisha mujtë me mbajtë vetën”.
Njërin nga djemtë, çifti Dvorani e varrosi menjëherë pas lufte, në varrezat e fshatit Terstenik.
Por, 4 djemtë e tjerë qëndruan për vite në morgun e Prishtinës për luftë. Ajo tregon se Idrizi, burri i saj, refuzonte të merrte trupat e tyre të pajetë, si shenjë proteste për mos zbardhjen e fatit të të zhdukurve të tjerë të masakrës.
3 vite pas lufte, Avniu, Hysniu, Hakiu dhe Veliu u varrosën, pasi që u kuptua edhe për fatin e të gjithë të pagjeturve të tjerë të masakrës së 30 prillit dhe 1 majit të 1999-ës.
Zonja Emine rikujton përsëri kohën kur shtëpia e saj ishte e mbushur plot, me të gjithë djemtë e saj.
“Kanë ardh kanihere natën, për më hangër bukë se ka ndodh s’kanë hangër ka dy tri ditë. Herën e fundit që kanë ardhur, kanë ardhur natën se krejt knej ka pasë serbë, kanë ardh qysh kan mujtë. I kam pa në Verbovc, herën e fundit, po Avniun e Veliun s’i kam pa se janë kanë në mal. Se kam ditë që ka me kanë hera e fundit që kam me i pa. Po çka më ba, kanë shku për këtë vend, për liri”, shpalos kujtimet e saja Eminja.
Ndonëse u vranë në të njëjtën masakër, 5 vëllezërit nuk janë varrosur në të njëjtin vend.
“Lumniun e kemi varrosë këtu në varrezat e fshatit, ndërsa dy të tjerë në fshatin Gllobar dhe dy të tjerë në varrezat e dëshmorëve të Drenicës. Tre përvjetorë i kam në tri vende të ndryshme”, tha Eminja.
23 vjet pas lufte, Eminja ngushëllimin e gjen tek djali dhe dy vajzat e mbijetuara të saj, dhe tek të rinjtë e familjes që trashëguan emrat e të vrarëve.