Kryeministri Albin Kurti ka kërkuar sot nga kancelari gjerman, Olaf Scholz në Berlin, që Gjermania të shtyjë përpara procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën.
Në një konferencë të përbashkët për media, Kurti ka thënë se është radha e shteteve të BE-së të përmbushin detyrimet ndaj Kosovës.
“Edhe dy muaj bëhen katër vite prej se Komisioni Evropian e ka rekomanduar liberalizimin e vizave për Kosovën për herë të dytë. Është koha të thuhet se mjaft është mjaft. Kjo çështje duhet të vendoset në Këshillin e BE-së pasi Kosova i ka kryer detyrat e shtëpisë, dhe është radha që edhe BE të kryej detyrat e saj”, tha ai, përcjell Telegrafi.
Kurti tha se Kosova do të aplikojë për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe Partneritetin për paqe të NATO-s ku llogaritet në ndihmën e Gjermanisë.
Ai ka thënë se mbështesin Procesin e Berlinit, derisa Kosova refuzon iniciativa tjera paralele.
Kurti ka thënë se Kosova është proaktive në dialogun me Serbinë.
Kreu i Qeverisë së Kosovës tha se dialogu Kosovë-Serbi duhet të jetë i përqendruar në njohje reciproke ndërmjet dy vendeve.
“Dialogu duhet të jetë i bazuar në njohje reciproke. Njohje reciproke duhet të jetë në qendër e jo në fund të procesit”, derklaroi tutje Kurti.
Kancelari Scholz tha se bashkëpunimi rajonal është i rëndësishëm, andaj ai tha se në gjysmën e dytë do të ketë një ftesë për takim në kuadër të Procesit të Berlinit.
Ky njoftim, sipas Kurtit, është i mirëpritur për Kosovën.
Kancelari gjerman tha, po ashtu, se do ta vizitojë Kosovën në kuadër të një turneu në shtetet e rajonit.
Pas takimit të Scholzit me Kurtin, kancelari gjerman do të takohet me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
Më pas, dy liderët pritet të takohen bashkë, me ndërmjetësimin e të dërguarit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Më herët, ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, tha se takimet, mes tjerash, “do të shërbejnë për të mbështetur dialogun Kosovë-Serbi, të udhëhequr nga BE-ja”.