Rezoluta për njohje të ndërsjellët, reagon Vucic: Nuk do ta njohim kurrë pavarësinë e Kosovës

 441 total views,  1 views today

Serbia nuk do të nënshkruajë kurrë një marrëveshje që përfshin njohje reciproke me Kosovën. Kështu u shpreh presidenti serb Aleksander Vucic, një ditë pasi Parlamenti europian miratoi një rezolutë ku për herë të parë thuhet marrëveshja përfundimtare për normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve duhet të bazohet në njohjen reciproke.

Vucic tha se kancelari gjerman Olaf Scholz ja kishte kërkuar këtë gjë në mënyrë të drejtpërdrejtë por përgjigjja e tij do të ishte ndryshe. “Bukur dhe me mirësjellje u themi se nuk do ta nënshkruajmë. Nuk na shkon mendja, as nuk do ta konsiderojmë”, ishin fjalët e tij.

Vucic, po ashtu, e mohoi deklaratën e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, se një takim i tij me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, pritet të zhvillohet së shpejti në Bruksel.

Sipas tij, mesazhet që vijnë nga Prishtina për një takim të mundshëm me Kurtin, nuk janë të vërteta. Vucic theksoi se nuk do ta refuzonte dialogun me kryeministrin e Kosovës, por se për momentin ai nuk do shërbente për asgjë. Duke ju referuar rezolutës së miratuar në Parlamentin Europian, Vucic bëri gjithashtu të ditur se Serbia nuk do t’i bashkohej sanksioneve të BE-së kundër Rusisë.