Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevski, do të jetë i pranishëm ditën e mërkurë në Bruksel, ku do të zhvillojë një takim me zyrtarët Europianë por dhe me liderët e rajonit.
Përveç Kovaçevskit do të marrin pjesë edhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, presidenti serb Aleksandar Vuçiç, Ministrja e Jashtme e Kosovës Donika gërvalla dhe kryeministri i Bosnjës Zoran Tegelti, të cilët do të darkojnë mbrëmjen e së mërkurës me shefin e diplomacisë së BE, Josep Borell, i cili i ka ftuar në një darkë joformale.
Edhe zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka konfirmuar se darka do të mbahet, duke theksuar se është një darkë tradicionale, e cila organizohet një herë në vit nga shefi i diplomacisë së BE-së.
Tradita e organizimit të darkave me liderë nga Ballkani Perëndimor është iniciuar nga ish-kreu i diplomacisë së BE-së, Federica Mogherini, si një mënyrë për të inkurajuar dhe përmirësuar bashkëpunimin brenda rajonit dhe rajonit me BE-në.
Në fund të darkës, liderët nga Ballkani Perëndimor janë planifikuar t’i drejtohen mediave në Bruksel.