Në Tiranë vijojnë përgatitjet për finalen e madhe të Uefa Conference League, e cila do të zhvillohet në 25 maj. Prej ditësh kanë vijuar trajnimet e stafeve të cilat do të garantojnë rendin e sigurinë.
Ndër të tjera do të jenë në terren 1500 efektivë policie, 600 stjuartë si dhe 400 vullnetarë. Këto masa merren jo vetëm për faktin se të pranishëm në stadium do të jenë 25 mijë tifozë, por gjithashtu edhe për shkak të tifo grupeve të të dyja skuadrave.
Si Roma ashtu dhe Feyenoord do të kenë mbështetje të madhe në kryeqytetin e Shqipërisë.
Nuk përjashtohet as ndonjë përplasje e mundshme mes dy tifozërive ndaj gjithçka po përgatitet deri në detaj. Biletat u shitën në harkun kohor të më pak se 3 orëve, duke shkaktuar pakënaqësi tek holandezët. Më 25 maj në Shqipëri pritet të kenë më tepër se 80 mijë turistë, pjesa më e madhe e tyre të ardhur enkas për përballjen.
Efektivët e policisë do të vendosen që në aeroportin Nënë Tereza, e më pas deri në stadiumin ‘Air Albania’. Ata do të shoqërojnë fillimisht klubet me stafet e tyre, por edhe tifozët.
Akset rrugore do të jenë të gjithë nën mbikëqyrje, për të shmangur incidentet.
Roma-Feyenoord do të luhet mbrëmjen e 25 majit në orën 21:00.