Seanca plenare e së hënës e quajti të ezauruar raundin e parë të votimit për zgjedhjen e presidentit të ri edhe pse nuk u paraqit asnjë kandidaturë zyrtare. Sipas Kushtetutës, Kuvendi ka të drejtë të provojë edhe dy raunde të tjera për një president konsensual, përpara se ta zgjedhë atë me shumicë të thjeshtë.
Nga Blerina Gjoka-BIRN
Në një seancë që nuk zgjati më shumë se 5 minuta, Kuvendi i Shqipërisë ezauroi të hënën raundin e parë të votimit për presidentin e ri pa një proces votimi, për shkak të mungesës së kandidaturave për President.
Edhe pse mazhoranca nisi një konsultim me aktorë të shoqërisë civile, me disa aktorë të opozitës dhe zhvilloi një votim përzgjedhës për emrat brenda grupit të saj parlamentar, nuk arriti dot të nxjerrë një emër kandidati për raundin e parë të votimit.
Kryetarja e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka lexoi në seancë raportin e miratuar nga komisioni për raundin e parë të votimit. “Komisioni konstatoi se deri në afatin e përcaktuar asnjë kandidaturë nuk është depozituar,” tha ajo duke shtuar se “në këto kushte votimi quhet i kryer”.
Kuvendi ka të drejtë të zhvillojë edhe tre raunde të tjera sipas Kushtetutës, me një diferencë kohore 7 ditë mes njëri-tjetrit. Ndërsa tre raundet e para imponojnë një president konsensual mes palëve që kërkon 94 vota, në raundin e katërt mazhoranca mund ta zgjedhë presidentin me shumicë të thjeshtë prej 71 votash.
Pas seancës, kryeministri Edi Rama tha se mazhoranca nuk i ka votat e nevojshme për të kaluar 3 raundet e para të votimit.
“Ndërkohë nuk më rezulton se ka ndonjë vullnet e qartësi nga palët e tjera për t’u përfshirë në këtë proces deri tani,” shtoi Rama, duke pranuar se mazhoranca nuk ka akoma një emër për president. Rama tha se mazhoranca do të presë deri në fund nëse ka ndonjë dëshirë për negociata nga pala tjetër, por ai theksoi se refuzon të negociojë me atë pjesë të opozitës që përfaqësohet nga ish-kryeministri Sali Berisha, por pa e përmendur atë me emër.
Opozita ka kërkuar që procesi të jetë politik dhe të flitet për emra konkretë që plotësojnë kriteret për të përfaqësuar unitetin e popullit.
Në mbledhjen e komisionit të Ligjeve disa orë para seancës së parë, deputeti demokrat, Oerd Bylykbashi tha se mazhoranca aktuale ka sot 90% të pushtetit publik dhe po kërkon të zgjedhë edhe presidentin vetëm. Sipas tij, duhet të shkohet drejt konsensusit për një president që përfaqëson popullin, në mënyrë të tillë që mos të zgjatet kriza politike në vend.
“Procesi në Parlament do të ndihmojë ose do të përkeqësojë krizën politike, institucionale që po kalon ky vend,” tha Bylykbashi, duke kërkuar që procesi t’i ngjajë atij të vitit 2002, kur presidenti u zgjodh me negociata mes PS-së dhe PD-së. “Nëse ju si maxhorancë do përpiqeni ta ndërtoni si matematikë e thatë numrash për të arritur te 84 apo 71 numra, do jetë keq. Do zgjatet më tej kriza politike,” shtoi ai.
Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu kërkoi bashkim të opozitës në kërkesat e saj për presidentin. “Kushtetuta ka përcaktuar procedurë të qartë për konsensus. Dy raundet e fundit jepen në rastet kur opozita kërkon krizë politike. Ky është momenti i reflektimit të opozitës që duhet të gjejë brenda vetes konsensusin,” tha Mediu.
Kandidaturat për president kanë të drejtë t’i propozojnë 20 deputetë të Kuvendit.