Jeffrey Hovenier, ambasador i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, i ka reaguar ashpër shefit të diplomacisë ruse Sergei Lavrov, i cili vazhdimisht është munduar ta mohoj masakrën në Bucha të Ukrainës – duke e cilësuar si inskenim dhe duke e krahasuar me masakrën e Reçakut, ku forcat serbe vranë civilët shqiptarë.
Në një postim të bërë në Twitter, diplomati amerikan shkroi se deklarata të tilla lavdërojnë krimet e luftës – rihapin plagët e të mbijetuarve dhe çnderojnë kujtimin e të vdekurve, transmeton Telegrafi.
“Përpjekjet për të rishkruar dhe mohuar historinë e mirëdokumentuar të masakrës së Reçakut lavdërojnë krimet e luftës, çnderojnë kujtimin e të vdekurve dhe rihapin plagët e të mbijetuarve. Ata që mohojnë mizoritë në Reçak kërkojnë të pengojnë përparimin drejt pajtimit rajonal, konsolidimit demokratik dhe integrimit evropian dhe euroatlantik”, ka shkruar ambasadori amerikan në Kosovë.
Por nuk është vetëm Lavrov që e ka quajtur inskenim masakrën e Reçakut. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, disa herë ka theksuar se masakra mbi civilët në Reçak është një trillim, madje ai ka shkuar tutje duke thënë se prapa kësaj vepre nuk qëndrojnë serbët.