Pas procedimit penal ndaj këngëtarit të njohur Noizy dhe babait të tij, lidhur me sherrin e ndodhur para ambienteve të lokalit të reperit, policia ka arrestuar edhe “kundërshtarin” e tij, e njohur me emrin e artit Cllevio.
Policia e Lushnjës njofton se Kleviol Ahmeti është arrestuar në flagrancë, pas sherrit të ndodhur ditën e djeshme, pasi ndaj tij ishte në fuqi masa e sigurisë “Arrest në shtëpi”.
Njoftimi i Policisë:
Theu masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, arrestohet në flagrancë 36-vjeçari me precedent të mëparshëm penal.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lushnjë, pas informacioneve të marra në rrugë policore se shtetasi K. A. kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, duke dalë jashtë banesës, kanë organizuar punën për kapjen e tij. Pas kontrolleve nga Policia, shtetasi K. A. është lokalizuar në lagjen “Çlirimi”, në qytetin e Lushnjës.
Në vijim të veprimeve u bë arrestimi, për veprën penale “Largim i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, i shtetasit K. A., 36 vjeç, banues në lagjen “Loni Dhamo”, Lushnjë, i cili ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.
Në 19.03.2021, shtetasi K. A. është arrestuar në flagrancë nga Policia, pasi në automjetin që e drejtonte pa leje drejtimi, iu gjetën doza me lëndë narkotike cannabis sativa dhe 3 armë të ftohta (thika), të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Shtetasi K. A. ka qenë i dënuar dhe më parë për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve, mbajtje pa leje të armëve të ftohta dhe kanosje. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.