Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mirëpriti ministrin e Punëve të Jashtme të Austrisë, Alexander Schallenberg, si një aleat, partner dhe mik të Republikës së Kosovës.
Kurti e falënderoi ministrin e Jashtëm austriak për mbështetjen dhe ndihmën e jashtëzakonshme të Austrisë për popullin e Kosovës, para, gjatë dhe pas luftës në Kosovë, si dhe para dhe pas shpalljes së pavarësisë.
Sipas njoftimit nga Kryeminsitria, Kurti veçoi faktin se Austria ishte vendi i parë që njohu diplomatë e Kosovës në vitet e ’90-ta, duke njohur universitetin dhe sistemin tonë arsimor, në një kohë kur studentët protestonin për të drejta dhe kundër shtypjes nga Serbia.
Duke shprehur mirënjohjen veçanërisht për ndihmën në ekonomi, tregti, edukim, kulturë, kryeministri Kurti tha se shpreson në rritje të bashkëpunimit bilateral ne këto fusha.
Ai theksoi se Qeveria e Republikës se Kosovës është e gatshme për të shtuar bashkëpunimin me qëllim të rritjes së investimeve dhe shkëmbimeve tregtare. Duke theksuar stabilitetin institucional dhe indikatorët pozitivë ekonomikë, kryeministri tha se Kosova dëshmon se qeverisja demokratike dhe zhvillimi ekonomik shkojnë krahas njëra-tjetrës.
Ministri i Punëve të Jashtme të Austrisë, Alexander Schallenberg, u shpreh i lumtur për këtë vizitë dhe theksoi angazhimin e vazhdueshëm të Austrisë në mbështetje të Republikës së Kosovës.
Ministri i përmendi lidhjet e shumëfishta mes dy vendeve tona, duke potencuar lidhjet njerëzore. Ai tha se do te dëshironte që Austria të jetë mes tre investitorëve kryesorë në Kosovë dhe që të rritet bashkëpunimi në ekonomi.
Ministri vlerësoi potencialin e popullit të Kosovës, si më i riu në Evropë dhe tha se beson në mundësitë që ofron Kosova veçanërisht në fushën e teknologjisë se informacionit.
Duke folur për energjinë e ripërtëritshme, ai shprehu gatishmërinë e Qeverisë së Austrisë për të mbështetur Kosovën në këtë drejtim.
Nga të dy palët u vlerësua organizimi i Forumit të përbashkët Ekonomik në Kosovë, për mundësitë që ofroi në shkëmbimin e drejtpërdrejtë ndërmjet ndërmarrjeve të Kosovës dhe Austrisë.
Në këtë takim u bisedua edhe për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel dhe qasjen konstruktive dhe kreative të Kosovës për arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme, që në qendër ka njohjen reciproke.
Duke biseduar për rrethanat e reja gjeopolitike, kryeministri Kurti tha se mirëpret vëmendje të shtuar nga Bashkimi Evropian në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Ai ritheksoi synimet e Qeverisë për anëtarësim të Kosovës në Këshillin e Evropës dhe në Partneritetin për Paqe të NATO-s, për çka edhe tha se shpreson në mbështetjen dhe lidershipin e Austrisë, për të ecur përpara në këto procese.
Ministri Schallenberg ritheksoi mbështetjen për liberalizimin e vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës si dhe për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.