Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po vazhdojnë të qëndrojnë në oborrin e Kuvendit, ku po protestojnë në shenjë pakënaqësie për mospërfshirjen e tyre në Ligjin për pagën minimale.
Ndërkohë, është parë një veteran duke ia vendosur emblemën e UÇK-së, njërit nga pjesëtarët e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës.
Të martën Kuvendi i Kosovës miratoi në parim, me 68 vota për, projektligjin që përcakton pagën minimale. Për kalimin e këtij projektligji ishin deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe ata të Listës Serbe, ndërsa komunitetet e tjera joshumicë abstenuan. Projektligji është kundërshtuar nga opozita, e cila nuk mori pjesë në votim.
Për këto organizata, deputetët me miratimin e këtij projektligji kanë vepruar kundërligjshëm e kundër aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.