Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës përmes një komunikate për media falënderon subjektet politike për zhvillimin e aktiviteteve elektorale në kuadër të rendit dhe ligjit.
MPB thotë se zgjedhjet e qeta dhe demokratike, shmangja nga çfarëdo incidenti apo provokimi, janë shenja të një kulture të lartë qytetare që po shfaqen në Republikën e Kosovës.
MPB njofton se në bazë të misionit të saj, që të kujdeset për sundimin e ligjit dhe sigurinë publike në tërë territorin e Republikës së Kosovës, janë ndërmarrë masat e nevojshme për të siguruar mbarëvajtjen e zgjedhjeve parlamentare.
“Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Kosovës mbeten të përkushtuar që me paanshmëri dhe profesionalizëm të sigurojnë mbarëvajtjen e të gjitha aktiviteteve elektorale të subjekteve politike dhe përgjithësisht gjithë procesit zgjedhor deri në përfundimin e tij të plotë”, thuhet në komunikatën e MPB-së.
Njëkohësisht MPB fton përfaqësuesit e partive politike dhe qytetarët e Republikës së Kosovës që të vazhdojnë të kultivojnë qytetari dhe kulturë aktive, duke respektuar secilin qytetar pa dallim, deri në përfundimin të garës elektorale.