Tashmë është bërë traditë e përvitshme. Magic Johnson, një nga basketbollistët më të mirë në histori, zakonisht rezervon një pjesë të pushimeve të verës për të shijuar bukuritë e Detit Mesdhe dhe disa prej qyteteve turistike më ekskluzive në zonë.
Për më tepër, legjenda e basketbollit nuk udhëton vetëm, pasi shoqërohet në udhëtimin e tij, përveçse nga bashkëshortja, edhe nga personazhe të tjerë të famshëm. Aventurën e tij të fundit verore po e kalon kryesisht në Greqi, ku ka vizituar vende si Santorini, Mykonos apo Athina.
Ish-lojtari i Los Angeles Lakers në NBA nuk ka munguar asnjë verë në Mesdhe, që nga viti 2017, dhe shoqërohet gjithmonë nga miq të njohur si aktori Samuel L. Jackson apo reperi LL Cool J.
Por, vetëm reperi ka mundur të shijojë një nga jahtet më luksoze dhe ekskluzive që mund të merren me qira sot: Solandge. Një vilë mbi ujë, qiraja e së cilës është rreth një milion euro në javë dhe vlera e saj i kalon 170 milionë euro.
Jahti i gjatë 85 metra ka 8 kabina për 12 të ftuar dhe mund të strehojë një ekuipazh prej 34 personash. Jahti është ndërtuar në vitin 2013, megjithëse u rinovua në vitin 2019.
Solandge ka pothuajse çdo komoditet që mund të ëndërroni: xhakuzi, pishinë, sauna, palestër, helipad dhe kinema. Si Magic Johnson, ashtu edhe LL Cool J kanë ndarë momente të ndryshme të udhëtimit në profilet e tyre sociale, në të cilat mund të shiheshin duke shijuar komoditetin e jahtit dhe mundësitë që ai ofron.