Presidentja Vjosa Osmani së bashku me kryeministrin Albin Kurti, kanë udhëtuar drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Kështu është bërë e ditur në njoftimin për media nga Zyra e Presidentes.
Në njoftim thuhet se Osmani dhe Kurti do të marrin pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes së MCC për Programin Kompakt të Kosovës.
“Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, së bashku me Kryeministrin Albin Kurti, kanë udhëtuar për në Uashington D.C. për të marrë pjesë në ceremoninë e organizuar në Kongresin amerikan për nënshkrimin e marrëveshjes me Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), për Programin Kompakt të Kosovës”, thuhet në njoftim.
E zyra e Kryeministrit ka njoftuar se në udhëtim me Osmanin e Kurtin është edhe ministrja e e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.
“Në këtë vizitë do të bëhet nënshkrimi i marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të përfaqësuara nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) në vlerë prej 236.7 milionë dollarë, për investimin më të madh ndonjëherë në fushën e energjisë. Objektivi kryesor i këtij projekti është sigurimi i stabilitetit të furnizimit me energji elektrike në Kosovë dhe tranzicioni në energji më të pastër në të ardhmen. Objektiv tjetër i projektit është edhe zhvillimi i shkathtësive në fushën e energjisë dhe ngritja e punësimit të grave në këtë fushë”, thuhet në njoftim.
Gjatë qëndrimit në Uashington, Osmani dhe Kurti do të zhvillojnë edhe takime të tjera bilaterale.
Bordi Ekzekutiv i Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) ka miratuar në fund të qershorit Programin Kompakt me Kosovën në vlerë prej mbi 200-milionë dollarësh. Marrëveshja ka të bëjë me projektet për energjinë.
Sipas njoftimit të mëhershëm të Qeverisë, programi do të përfshijë tri projekte: 1. Rezerva dhe arbitrazh të energjisë (bateritë me kapacitet 170 MË, që ofrojnë rezervë 340 MWh), 2. Zhvillimi i fuqisë punëtore dhe përfshirja e grave në sektor të energjisë, dhe 3. Projekti i Institucionit Amerikan të Katalizatorit për Zhvillim. Projekti i parë konsiston në blerjen dhe instalimin e baterive me kapacitet të lartë, që shërbejnë si rezerva të energjisë.