Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan do të vizitojë qytetin bregdetar rus të Soçit më 5 gusht, ku do të takohet me homologun e tij rus Vladimir Putin. Lajmi u njoftua nga presidenca turke të martën, por pa dhënë detaje të tjera për vizitën.
Kjo vizitë vjen vetëm disa ditë pasi Turqia, OKB, Rusia dhe Ukraina nënshkruan një marrëveshje historike për të rifilluar eksportet e grurit përmes tre porteve të Ukrainës, pas muajsh bllokimi për shkak të luftës Rusi-Ukrainë, e cila tashmë është në muajin e gjashtë. Eksportet do të rifillojnë së shpejti, të koordinuara nga një qendër në metropolin turk Stamboll.
Të mërkurën e kaluar, Erdogan dhe Putin u takuan gjatë një takimi trepalësh me homologun e tyre iranian Ebrahim Raisi në kryeqytetin e Iranit Teheran.
Udhëheqësit u mblodhën për samitin e 7-të në formatin e Astanës për të diskutuar zhvillimet e fundit në Siri, luftën kundër grupeve terroriste që përbëjnë një kërcënim për sigurinë rajonale, veçanërisht YPG/PKK dhe Daesh/ISIS, si dhe situatën humanitare dhe kthimin vullnetar të sirianëve.