Richard Grenell, ish-i dërguari i posaçëm i SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, ka hedhur një sërë akuzash ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
Në reagimet e tij ndaj tensioneve në veri të Kosovës, për shkak të vendosjes së reciprocitetit ndaj Serbisë, Grenell e ka quajtur Kurtin “fashist me përvojë”.
Sipas tij, Kurti ka treguar mashtrim, papërgjegjshmëri dhe ka ndërmarrë hapa njëanshëm për reciprocitetin.
“Edhe njëherë, Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, një i majtë radikal dhe fashist me përvojë, njëanshëm ka vepruar për të ndalur targat serbe dhe letërnjoftimet në Kosovë. Mashtrim. Papërgjegjshmëri. Dhe, e panevojshme. Pse Sullivan dhe Blinken nuk po i thonë të ndalë metodat fashiste?”, ka shkruar Grenell në “Twitter”.
Në një tjetër reagim, ai shprehet se populli i Kosovës meriton punë dhe liderë që duan zhvillim ekonomik.
“Kjo nuk ka të bëjë me të kaluarën – asnjëra palë nuk ka gjithmonë të drejtë ose gjithmonë gabim. Bëhet fjalë për lëvizjet e njëanshme të Albin Kurtit për të refuzuar ID-të dhe targat serbe brenda Kosovës. Është e panevojshme. Populli i Kosovës meriton punë dhe liderë që duan zhvillim ekonomik”, vijon ai, ndërsa nuk i ka ndalur sërish sulmet ndaj kryeministrit të Kosovës.
“Këta të majtë duan të shtypin të gjithë mospajtimin. Ata janë totalisht intolerantë ndaj pikëpamjeve të njerëzve të tjerë. Dhe ata armatosin institucionet për të goditur disidencën. Fashistë!”, nënvizon Grenell./ B.A. – CNA.al