“Tensionet në veri u krijuan si rezultat i përgatitjeve nga Serbia, me ndihmën dhe nxitjen e Rusisë”. Kështu u shpreh Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë një interviste për BBC News Night.
“Ka pasur përgatitje nga Serbia, e ndihmuar dhe nxitur nga Rusia, për të tentuar përshkallëzimin e situtatës në Ballkanin Perëndimor, e në veçanti në Kosovë. Vuçic, në muajt e fundit, i ka dhënë mbështetje strukturave ilegale në veri të Kosovës, të cilat përbëhen nga bandat kriminale. Nëpërmjet tyre dhe duke i manipuluar ata, janë duke e mbajtur pakicën serbe që jeton në Kosovë peng të këtyre politikave të gabuara”, tha Osmani.
Duke folur për çështjen e dialogut, Presidentja u shpreh se “Kosova gjithmonë ka qenë palë konstruktive, për dallim nga Serbia që ka bërë të kundërtën”.
Ajo shtoi se Serbia po bën marrëveshje armësh dhe gazi me Rusinë, në një kohë kur pjesa tjetër e Evropës po vendos sanksione ndaj Rusisë.
E pyetur nga gazetarja e BBC se cili është mesazhi i saj për Presidentin rus, Vladimir Putin, Osmani u përgjigj:“Ai do të dështojë në Ukrainë dhe do të dështojë absolutisht në qëllimet e tij kur bëhet fjalë për destabilizimin e Ballkanit Perëndimor përmes satelitit të tij, Serbisë”.