Dom Gjergj Meta ka bërë një apel për t’u bashkuar sonte në mbrëmje në një marshim homazh në Shëngjin, në kujtim të vogëlushes 7-vjeçare që humbi jetën tragjikisht dje në Himarë.
Në një lidhje direkte me edicionin e lajmeve në News24, Dom Gjergj Meta tha se marshimi do të nisë në orën 19:00 nga kisha e Shëngjinit dhe më pas do të vijojnë përgjatë bregdetit, teksa ka kërkuar që në shenjë homazhi të mbahet në dorë një lule dhe një qiri.
Ai tha se nuk ka nevojë për fjalim, por për sensibilizim dhe reflektim, ndërsa shtoi se një problem i shoqërisë sonë është se reagojmë pas ngjarjeve që na shokojnë e më pas harrojmë.
“Shpreh ngushëllimit, një ngjarje që na ka prekur të gjithë. Ngjarja është e rëndë për vetë rrethanat moshën apo kontekstin, njerëzit kur shkojnë me pushime nuk mund të rrinë të mendojnë se nga u vjen rreziku.
Këto skafet kanë qenë gjithmonë një problem, i ankuar nga shumë njerëz, megjithatë nisma dhe iniciativa jonë sonte në Shëngjin, është më shumë një homazh marshim nga një pikë drejt bregut të detit për të kujtuar atë vajzë të vogël për të sensibilizuar. Në raste kur shohim situata abuzive, të denoncojmë dhe ta themi dhe të këmbëngulim me forcat e rendit, që të shkojnë në vendngjarje.
Duhet rritur koshienca civile, ajo familje që erdhi në Shqipëri për pushime, ikën me një brengë dhe nuk do të dojë më kurrë të kthehet në vend.
Sot do të bëjmë një marshim në heshtje, nuk ka nevojë për familje, do jetë e përbërë nga shenja dhe simboli, një qiri dhe një lule. Nuk ka nevojë për shumë gjëra shpesh herë, mjaftojë gjërat të vogla. Në 19:00 do të nisemi nga kisha e Shëngjinit drejt bregut të detit, shpresoj të marrin pjesë edhe pushues këtu.
Nuk duhet të ndodhin më ngjarje të tilla.
Ne reagojmë në momentin që ngjarjet që na shokojnë dhe pas tre ditësh harrohet, ky është një problem i shoqërisë sonë. Jemi disi të vonuar ndaj aspekteve për të cilat ne duhet të ngremë zërin, për përjetësinë, korrupsionin, vrasjet…
Kam miq që po pushojnë në atë zonë aktualisht dhe janë tejet të shokuar”, u shpreh ai.