Super stuhitë, 13 të vdekur në Europë nga moti i keq
Publikuar më: 19/8/2022, ora 08:59
Stuhi të fuqishme kanë përfshirë Europën qendrore dhe atë jugore, duke shkaktuar së paku 13 viktima, përfshirë edhe fëmijë.
Vdekjet, të shkaktuara kryesisht nga rënia e pemëve dhe era e fortë, janë raportuar në Itali e Austri dhe në ishullin francez të Korsikës, atje ku era ka arritur shpejtësinë 224 km në orë, duke shkulur çatitë e duke thyer xhamat e shtëpive e makinave.
Erërat e forta kanë shkaktuar probleme edhe në Venecia të Italisë, ku çatia e Bazilikës së Shën Markut është shkëputur nga vendi. Dhjetëra vetë të tjerë, që vijojnë pushimet qark Europës, janë lënduar po ashtu, në tokë e det.
Shumë shtete në Europë, kryesisht në Jug dhe Europën qendrore, kanë përjetuar javë të nxehta e të thata këtë korrik e gusht. Ngjarjet e motit ekstrem, përfshirë të nxehtin përvëlues por edhe stuhitë e shiut, janë bërë gjithnjë e më intensive vitet e fundit.