Kryeministri i ardhshëm i Britanisë së Madhe që do të dalë nga gara midis Liz Truss dhe Rishi Sunak, ndryshe nga çka ndodhur herët e shkuara do të bëjë betimin para Mbretëreshës Elizabeth II në Balmoral Castle, e cila gjendet në Aberdeenshire të Skocisë.
Normalisht ndër vite ceremonia e betimit para Mbretëreshës është zhvilluar në Buckingham Palace, por këtë herë problem është bërë shëndeti i Elizabeth II, e cila vazhdon të vuajë nga dhimbja e gjunjëve, çka ja bënë të vështirë lëvizjen.
Teksa, Boris Johnson ka njoftuar se më 6 shtator do t’i paraqesë zyrtarisht dorëheqjen Madhërisë së Saj, monarkja pritet të ftojë më pas kandidatin fitues të konservatorëve të bëhet Kryeministër dhe të shpallë për publikun emrin e kreut të ri të Downing Street Nr.10.
Mbretëreshës 96-vjeçare do t’i duhej të ndërpriste pushimet e saj në pronën skoceze për të marrë pjesë në ceremoni, por ky plan tani është anuluar.
Kjo do të shënojë herën e parë që e ashtuquajtura puthje e duarve të ndodh jashtë Londrës ose kështjellës së Windsor.
Mediat britanike raportojnë se janë hartuar plane sekrete për të zhvendosur ceremoninë në Balmoral pasi Mbretëresha është këshilluar të shmangë udhëtimin e kthimit në jug për arsye shëndeti. Një vendim zyrtar nëse ajo do të udhëtojë përsëri për në Windsor Castle do të shpallet javën e ardhshme.
“Mbretëresha tani është këshilluar të mos udhëtojë. Por padyshim që askush nuk i thotë Mbretëreshës se çfarë të bëjë dhe në fund të fundit është vendimi i saj, dhe siç e pamë kur ajo u shfaq për herë të tretë në ballkonin e Pallatit Buckingham në Jubile, asaj i pëlqejnë surprizat. Ka disa pjesë të rolit të saj që Princi Charles mund t’i bëjë në emër të saj, por Mbretëresha është e bindur që ajo të emërojë Kryeministrin e ri. Mund të mos jetë zgjidhja më e mirë për ta bërë Mbretëreshën të udhëtojë 1000 milje dhe të kthehet për një vizitë 48-orëshe kur kryeministri mund të shkojnë lehtësisht në Balmoral”, mësohet të ketë thënë një zëdhënës i familjes mbretërore për TheSun.