Një i ri mbeti i vrarë në një sulm me thikë të hënën mbrëma në karnavalet e famshme të Notting Hill në Londër, të cilat ishin ndërprerë prej dy vitesh për shkak të pandemisë së koronavirusit, tha policia.
Viktima është një 21-vjeçar, i cili është identifikuar si reperi Takayo Nebhardt, i njohur si ‘TKorStretch’ nga Brisoli, i cili u sulmua me thikë në Ladbroke Grove rreth orës 20:00 të së hënës.
Policia e largoi atë nga turma dhe burri mori ndihmën e parë, por më vonë vdiq në një spital në perëndim të Londrës, ku edhe u dërgua për trajtim.
Sipas menaxherit të tij, reperi me origjinë nga Bristol, kishte marrë pjesë në karnavale me motrën dhe miqtë e tij.
Sipas autoriteteve britanike, disa incidente të tjera të dhunshme dhe sulme me thikë ndodhën gjatë dy ditëve të karnavaleve.
Sulmi po hetohet nga policia, e cila i bëri thirrje publikut për informacion, duke theksuar se qindra persona ndodheshin në vendngjarje.
Menaxheri i tij, Chris Patrick, tha se TK, siç njihej ndryshe viktima, ishte në pritje të një fëmije me të dashurën e tij.
“Ai ishte i talentuar në shumë fusha, kështu që kur mbaroi futbolli, ai ju fut muzikës dhe filloi të regjistronte veten. Ai dhe babai i tij erdhën në Londër dhe unë e takova dhe mendova se ishte një fëmijë i mirë, me të vërtetë i respektueshëm.Unë e menaxhova atë për më shumë se dy vjet. Ai punoi jashtëzakonisht shumë në rrjetet e tij sociale dhe u përpoq të bënte atë që është e drejtë për veten dhe fëmijën e tij që do të vijë së shpejti.Familja e tij është e shkatërruar”.
TKorStretch kishte gati 11,000 dëgjues mujor në Spotify, me një nga këngët e tij që kishte më shumë se 300,000 transmetime. Videot e tij në YouTube janë parë më shumë se një milion herë.
Reperi kishte qenë edhe futbollist dhe ishte pjesë e Akademisë Bristol Rovers deri në moshën 16-vjeçare.
Policia tha se bëri më shumë se 200 shoqërime dhe arrestime gjatë ngjarjes, duke përfshirë 46 për sulm, 36 për përdorim droge, 33 për armëmbajtje, 27 për çrregullim publik dhe tetë për sulm seksual.
Vrasjet me thikë ndodhin shpesh në Londër, ndërkohë që mbajtja e armëve të zjarrit kontrollohet shumë rreptësisht.
Një rritje e vrasjeve me thikë këtë verë ka shkaktuar reagime të shumta opinionin publik. Mes viktimave ishte një 87-vjeçar, i cili u godit me thikë teksa përdorte karrocën e tij elektrike.