Prokuroria Speciale për krime të luftës në Kosovë, me seli në Hagë, që nga dhjetori i vitit 2018 e deri më tash, sipas të dhënave të Organizatës së Veteranëve të Luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka intervistuar rreth 100 persona, ndërkaq që ekspertët e çështjeve juridike penale ndërkombëtare, vlerësojnë që kjo prokurori është duke punuar me dinamikë të shtuar.
Hysni Gucati, kryetar i Organizatës së Veteranëve të Luftës të UÇK-së, thotë për Radion Evropa e Lirë se shumica e të intervistuarve deri më tash, gjatë luftës kanë qenë civilë, ndërkaq numri i ish -pjesëtarëve të UÇK-së të intervistuar, të cilët i janë paraqitur kësaj organizate, është më i vogël.
“Ata që na janë lajmëruar neve, deri më tash, janë afër 100 persona që janë ftuar në Gjykatën Speciale, prej të cilëve ka në cilësinë e dëshmitarëve, por ka edhe në cilësinë e të dyshuarve. Deri më tash, neve që na janë lajmëruar, janë 7 persona që kanë qenë pjesë e luftës”, thotë Gucati.
Ai shton se nuk ka të dhëna të sakta lidhur me numrin e personave që janë ftuar nga Prokuroria Speciale në cilësinë e dëshmitarëve dhe të atyre që janë ftuar në cilësinë e të dyshuarve.
Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, që njihen ndryshe si Gjykata Speciale për krime të luftës në Kosovë, është funksionalizuar në tërësi në korrik të vitit 2017, por vetëm në dhjetor të vitit 2018, Prokuroria e Speciale ka nisur të intervistojë personat e parë të ftuar.
Deri më tash, Zyra e Prokurorit të Specializuar, nuk u është përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë lidhur me numrin e saktë të personave të intervistuar, në çfarë cilësie janë intervistuar, si dhe kur mund të pritet aktakuza e parë.