Prezantohet programi artistik i javës së kulturës britanike, që ka nisur në fakt me kriket dhe koncertin e Rita Orës në tiranë. Ambasadori britanik thekson se kultura britanike këtë javë do të shkojë edhe në rrethe, ndërsa nuk shmangu edhe çështjen e shqiptarëve që kërkojnë të shkojnë në Angli apo zhvillimet politike të fundit.
Ndonëse kohët e fundit flasim gjithnjë për shqiptarë që shkojnë në mënyrë të paligjshme drejt Anglisë, mbetet ende një anë tjetër e medaljes së marrëdhënieve me këtë vend. Dhe kultura është ana tjetër, artistë shqiptarë që janë konfirmuar në Angli dhe britanikë që vijnë dhe prezantojnë artin e tyre në Shqipëri.
Pikërisht për këto pikë takime të bukura artistike u bë bashkë ambasadori britanik dhe ministrja e Kulturës, Elva Margariti, në prezantimin e projekteve të reja.
“Nuk jam këtu vetëm për javën e kulturës britanike, por për të thënë se gjatë gjithë këtij viti festojmë 100 vite marrëdhënie mes dy vendeve tona. Ndaj aktivitetet artistike premtojmë t’i shtrijmë gjatë gjithë vitit dhe sigurisht edhe në rrethe. Dhe Shqipëria dhe Anglia do të vijojnë të forcojnë marrëdhëniet e tyre, ndonëse jo pak herë na duhet të merremi edhe me çështje më të mprehta politike, për qeveri të reja, çështje që nuk janë aq të bukura sa arti. Ndonëse e dimë se kultura krijon ura afrimi për ta njohur njëri- tjetrin më mirë”, u shpreh ambasadori britanik Alastair King-Smith.
Disa nga këto shkëmbime artistike kanë mbërritur shumë më herët në Shqipëri, dhe Gallery 70 në Toptani Shopping Center është një nga oazet ku artistët britanikë e ato shqiptarë janë bërë bashkë.
Jo iniciativë do të vijojë edhe më tej me mbështetjen e British Council, theksoi Basha, ndërsa java e kulturës britanike në Tiranë premton të premten një takim tejet interesant mbi letërsinë britanike të përkthyer në shqip. Takimi është te Biblioteka Kombëtare.