Pas shkarkimit rrufe që Qeveria i bëri Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Gledis Nanos, po del pak nga pak në dritë, “hija” që Rama ka mbyllur brenda Ministrisë së Brendshme, që deri më sot e ka fshehur me mjeshtëri, pas profesionistëve të vërtetë të Policisë, pamundësinë e tij profesionale, pazotësinë në drejtim, cektësinë e vizionit për të luftuar krimin dhe rikhyer rendin në vend: Ministri i Brendshëm Blendi Çuçi!
I ftuar në debat në emisionin “Top Story” të Sokol Ballës, Blendi Çuçi lëshoi një “sentencë” filozofike që me sa duket po e drejtoka në misionin e tij: Vrasje do të ketë gjithmonë, nuk ka zhvillim pa krim, nuk është zhvilluar asnjë vend i botës!!!
Kjo frazë tronditëse për çdo qytetar të këtij vendi që ëndërron përparimin, u pasua edhe nga një deklaratë me dy tehe e Çuçit të Brendshëm. Ai gjeti më në fund një arsye për “të bindur” opinionin pse u shkarkua vetëm Gledis Nano dhe pse ai duhet të vazhdonte të qendronte në post: Gledis Nano nuk tregoi lidership, nuk arriti – sipas tij, – të bëntë ristrukturimin e Policisë Kriminale, kurse unë, ministri vetë, arrita të përmbushja partneritetin me homologët!
NDIQNI PAK NGA INTERVISTA:
Sokol Balla: Z. Ministër, ngjarjet e rendit publik, shifrat kanë rëndësi, perceptimi ka rëndësi, por ndonjëherë edhe një vrasje teke të krijon probleme…
Bledi Çuçi: Po pra, dëgjo! Vrasje do të ketë gjithmonë, thamë, nuk ka zhvillim pa krim, nuk është zhvilluar asnjë vend i botës. Mua më vjen shumë mirë që z. Kulluri përmendi faktin që siguria që lidhet kryesisht me krimin delikuent, do ta quanim kështu, është një shkallë shumë të mirë në Shqipëri. Nuk po ua jap unë statistikën. Kur të dalim shikoni Eurostatin sepse ka një klasifikim të të gjithë Europës dhe Shqipëria është një nga vendet që ka rekordet më të mira për këtë natyrë krimi. Dhe kjo është e vërtetë.
Për krimin e organizuar pa diskutim këtu duhet ndaluar e duhet të flasim si shoqëri, pa diskutim agjencitë, Ministri i Brendshëm, qeveria, Prokuroria, gjykata etj por unë mbetem gjithmonë me zgjidhje nëpërmjet krijimit të sistemeve.
Pak më parë diskutuam për objektivat e parealizuara të ish-Drejtorit të Përgjithshëm dhe një nga objektivat ishte mungesa e lidershipit për të çuar përpara reformën në Policinë Kriminale, në strukturimin e Policisë Kriminale.
Ne sot kemi në Polici Kriminale që është në mënyrë kapilare e shtrirë deri në nivel komisariati poshtë në qytete, po çfarë mund të luftosh ti krimin e organizuar?! Dihet që krimi i organizuar është i përqendruar në Tiranë, Durrës, në Elbasan, që gjithsesi vjen në Tiranë gjithë ai krim, Vlora vjen në Tiranë. Vetëm Shkodra ka një natyrë, një specifikë më lokale pastaj gjithë, gjithë krimi i organizuar përqendrohet në Tiranë.
Dhe këtij realiteti duhet t’i përgjigjemi me një sistem të ri, me një organizim të ri të Policisë Kriminale. Se nuk mund të vazhdojmë me një sistem e organizim që ka qenë këtu e …tani nuk di të them kur është organizuar, por të paktën 30 vjet ka me këtë organizim në mënyrë kapilare në gjithë komisaritatet dhe forcat duhen përqendruar e duhen ngritur ekipe që synojnë banda e grupe të caktuara dhe kjo nuk është tipike shqiptare. Ky është model që e përdorin të gjitha vendet perëndimore për të luftuar krimin e organizuar. Kjo është një.”
“E këto janë punët që mund të bëjë ministri”
“E dyta është partneriteti me agjencitë partnere të luftës kundër kriminalitetit. Sot nuk mund të bësh asnjë ndjekje penale, asnjë hetim po nuk pate një partner. Dhe unë i kam vënë shumë rëndësi kësaj dhe këto janë punët që mund të bëjë ministri, duke krijuar partneritete pothuajse me të gjitha vendet europiane sot për të luftuar krimin e organizuar.
Dhe ne sot kemi operacione të përbashkëta hetimi dhe hetime të përbashkëta, dy momente të ndryshme, që nga Spanja deri në Britani, përfshi Italinë, Greqinë, Kosovën, Maqedoninë, Gjermaninë dhe vetëm në 2021-in deri në mars 2022 kemi pasur shtatë operacione të përbëshkëta për kultivim dhe trafikim të drogës, dy për terrorizëm, dy për pastrim parash dhe tre për trafik klandestinësh.
Këto janë shumë të rëndësishme, nuk luftohet krimi i organizuar po nuk pate partner. Nuk e kap dot kurrë ti ngarkesën e drogës që shkon në Amsterdam, Roterdam, Durrës në Spanjë, në Itali, ku të duash ti po nuk pate informacionin nga burimi.
Këto janë dy shtyllat që unë i kam vënë shumë rëndësi për të organizuar luftën kundër krimit të organizuar kështu që mendoj dhe mungesa e lidershipit për të çuar përpara këtë gjë, sidomos te e para, ke reformimi i Policisë Kriminale, pa diskutim ka qenë një handikap”.