Mbi 120 minatorë kanë mbetur të ngujuar në minierën e Trepçës, për shkak të ndërprerjes së energjisë elektrike.
Një gjë e tillë është konfirmuar nga ushtruesi i detyrë së kryeshefit të Trepçës, Enis Abdurrahmani.
Sipas tij gjendja e minatorëve është mirë dhe se shkaku për bllokimin e tyre në minierë vije si pasojë e dëmtimit të rrjetit energjetik.
Në anën tjetër sipas kreut të sindikatës së Punëtorëve të Trepçës, Gani Osmani, mënyra e vetme që punëtorët të dalin jashtë është sanimi sa më i shpejtë i problemit të energjisë elektrike.
“Janë në minierë diku rreth 120 minatorë të ndërrimit të parë. Ata janë hala aty deri kur të rregullohet rryma. Nuk mund të dalin derisa të vjen rryma, si të ndreqet defekti ata munden për 10 minuta me dal jashtë”, ka thënë Osmani.
Osmani ka shtuar se minatorët gjenden në një pjesë të minierës ku ka ajrosje më të mirë.
Këta minatorë, sipas Osmanit, janë të ndërrimit të parë, të cilët kanë filluar punën nga ora 7:00 dhe do duhej ta përfundonin në orën 14:00. /Albanianpost.com