Uebfaqet e institucioneve qeveritare dhe të disa mediave në shumë vende, edhe në Kosovë e Shqipëri, janë sulmuar kohët e fundit nga hakerët.
Një sulm kibernetik duket se ka ndodhur edhe në Britaninë e Madhe. Atje në një uebfaqe të dyshimtë po shiten numrat e celularëve të kryeministres britanike Liz Truss dhe 25 ministrave të saj, shkruan gazeta “Mail on Sunday”.
Në këtë uebfaqe amerikane po kërkohen 6.49 funta (ose 7 euro e 38 centë) për të pasë qasje në informacion, derisa ekspertët kibernetikë paralajmërojnë se këto informacione mund të përdoren nga Kina dhe Rusia për të spiunuar figura të larta qeveritare.
Zyrtarët e sigurisë, mbrëmjen e kaluar, i kanë paralajmëruar ministrat e kabinetit qeveritar se kanë mundur t’iu hakohen edhe e-mail adresat dhe fjalëkalimet.
Nga zyra e kabinetit qeveritar kanë thënë se hetimi po vazhdon dhe se disa nga informacionet janë të vjetra.
Megjithatë, zyrtarë të sigurisë shtetërore kanë konfirmuar se mes të dhënave janë edhe 26 numrat e telefonit aktualë të anëtarëve të kabinetit qeveritarë, përfshirë edhe numrin e kryeministres Truss.
Personat që fshihen pas kësaj uebfaqe mbeten mister. Në ndërkohë aty figuron një numër telefoni që është aktiv, por askush nuk përgjigjet, ndërsa zyra ndodhet në një zonë periferike të Las Vegasit.