Një ndeshje speciale për Jose Mourinho. Suksesi i verdhekuqve do ta bënte jubilare përballjen e së enjtes, ku Roma do të presë Betisin në Olimpico.
Me një fitore, tekniku portugez do të hynte zyrtarisht në historinë e futbollit, si trajneri më fitues në Europë, nga periudha kur është krijuar Champions League. Mourinho do të kalonte Sir Alex Ferguson, me të cilin ndan kreun në kuotën e 106 ndeshjeve të fituara në arenën ndërkombëtare.
Këtë kuotë, “Special One” e barazoi në ndeshjen e fundit të Europa League, ku Roma mori tre pikët ndaj HJK Helsinki me golat e Dybala, Pellegrini e Belotti. Tashmë Jose ëndërron të kalojë legjendën Ferguson dhe të marrë tri pikët, që do të ishin thelbësore për ecurinë europiane të verdhekuqve.
Humbja ndaj Ludogorets e komplikoi çështjen e kualifikimit të Romës, që tashmë duhet të sigurojë të paktën 4 pikë përballë Betis, për të synuar vendin e parë në Grupin C. Vetëm në këtë mënyrë, italianët do të evitonin sfidat delikate play-off kundër ekipeve që zbresin nga Champions-i, të cilat do të luhen në muajin shkurt.