Në kampin e misionit të NATO-s në Prishtinë u mbajt dhe ceremonia ku gjeneralmajori i ushtrisë hungareze, Ferenc Kajari, i dorëzoi stafetën, gjeneralmajorit të ushtrisë italiane, Angelo Michele Ristuccia. Me këtë rast, presidentja Vjosa Osmani, mbajti një fjalim ku falënderoi NATO-n. Ajo sqaroi se Kosova ka forcuar kapacitetet mbrojtëse, pasi KFOR-i ka reduktuar praninë në vend.
“Tani jetojmë në kohë shumë më stabile, krahasuar me vitet e 90-ta falë kontributit tuaj dhe të qytetarëve të Kosovës, kemi ende kërcënime shumë reale për sigurinë nga fqinjët sfidues, fqinji dhe lufta në Ukrainë. Ne ende e dimë se për shkak të pranisë suaj, si dhe institucioneve të sigurisë së Kosovës, ne nuk jemi të cenueshëm ndaj këtyre kërcënimeve”, tha Osmani.
Vlerësimet për punën e bërë në terren ishin të larta, ashtu si bashkëpunimi i KFOR-it me qeverinë e Kosovës dhe misionet e huaja.
“Në nivel lokal, marrëdhënia me institucionet në Kosovë ishte e ndërtuar shumë mirë, partnerët ishin gjithmonë të gatshëm të takoheshin dhe të bashkëpunonin edhe pas njoftimit për një kohë të shkurtër, gjë që shpesh ishte e nevojshme”, deklaroi Ferenc Kajari, gjeneral-major i ushtrisë së Hungarisë.
Kreu i komandës së 27-të të KFOR-it e nisi punën duke nderuar të rënët gjatë të gjitha konflikteve në rajonin e Ballkanit, dhe premtoi se do t’i përmbushë detyrat e tij.
“Dua të siguroj se këto sfida do t’i kthejmë në mundësi me transparencë, paanshmëri, vendosmëri dhe konsistencë me mandatin, në sinergji me Zyrën e BE-së në Kosovë dhe EUSR-në për Kosovën, EULEX-in, UNMIK-un, OSBE-në, dhe në konsultime të ngushta me organizatat e sigurisë së Kosovës, shefin e Mbrojtjes së Serbisë dhe aktorë të tjerë në rajon”, tha Angelo Michele Ristuccia, komandant i KFOR.
Ndërsa, komandanti i Komandës së Forcave të Përbashkëta të Napolit, Admirali, Stuart B. Munsch u shpreh se forcat e KFOR-it mbeten të përkushtuara për të siguruar paqe, siguri dhe liri të lëvizjes për të gjitha komunitet në Kosovës.
Sipas tij Kosova tani është më e sigurt sesa kur nisi misionin e tij KFOR-i. Pjesëmarrës në ceremoninë e ndërrimit të komandës ishte dhe kryeministri Albin Kurti, një sërë ministrash dhe zëvendësministrash.