Nëndetësja e parë bërthamore e ndërtuar nga Bashkimi Sovjetik, një bishë e vërtetë nënujore e pagëzuar “balena vrasëse” është nxjerrë në parada përgjatë rrugëve të disa qyteteve ruse para se të përfundojë në një muze në Shën Pjetërburg, vendlindjen e Presidentit Vladimir Putin.
Nëndetësja 3000-tonëshe ka qenë një prej mjeteve ushtarake kryesore të Bashkimit Sovjetik, me të cilën shteti komunist i kohës mburrej para botës. Nëndetësja e quajtur K-3 Leninsky Komsomol, e gjatë 107 metra, është ndërtuar në vitin 1957.
Mjeti luftarak u parakalua në sytë e qytetarëve të Shën Pjetërburgut, para se të futet në muzeun “Kronstadt”, ku do të ekëspozohet për publikun. Reaktorët bërthamorë të nëndetëses janë hequr, ndërsa disa pjesë të dëmtuara janë riparuar dhe kthyer në gjendjen fillestare.
Nëndetësja ka qenë pjesë e flotës veriore të Bashkimit Sovjetik. Në vitin 1962, u bë e para nëndetëse sovjetike që arrinte Polin e Veriut nën ujë, katër vite pas nëndetëses amerikane USS Nautilus. Për këtë mision, Kapiteni i saj, Lev Zhiltsov, mori edhe medaljen e “Heroit të Bashkimit Sovjetik”, më të lartën që jepej në atë kohë.
Në kulmin e Luftës së Ftohtë, detyra e kësaj nëndetëseje ishte të ndiqte nëndetësen amerikane me predha balistike. Në vitin 1967, 39 anëtarë të ekuipazhit të saj humbën jetën pas një defekti si pasojë e të cilit u çlirua dioksid karboni në disa pjesë të nëndetëses.