Tifozët e Interit mund të festojnë ose të shqetësohen, por një gjë duket e sigurt, Interi është në shitje.
Lajmin e bujshëm por jo të befasishëm për ata që ndjekin zikaltrit ndër vite, e ka dhënë prestigjiozja Financial Times, që ka dhënë edhe detaje.
Sipas tyre, pronarët kinezë të klubit milanez, i kanë dhënë mandat gjigantëve financiarë Goldman Sachs dhe Raine që të kërkojnë blerës potencialë.
Pak kohë më parë, Raine ka menaxhuar kalimin e shpejtë për shkak të situatës në Ukrainë, të klubit londinez të Chelsea nga miliarderi rus Roman Abramovic tek amerikani Todd Boehly.
Interi u ble në 2016 nga kolosi kinez Suning, pronë e familjes Zhang, nga indoneziani Erick Tohir dhe presidenti “historik” Massimo Moratti.
Ëndrrat e tifozëve për një merkato të njëjtë me gjigantet spanjollë dhe britanikë u shua nga kriza ekonomike dhe pandemia që goditi rëndë ekonominë kineze, dhe veçanërisht nga vendimi i qeverisë kineze për të braktisur synimet e investimeve të mëdha në futboll brenda dhe jashtë kufijve të saj.
Vitet e fundit kanë qenë të vështira financiarisht për klubin zikaltër, me drejtuesit që kanë marrë 275 milionë euro borxh nga fondi amerikan Oaktree për të vijuar rregullisht aktivitetin, që ka kulmuar në fitoren e titullit në sezonin 2020/2021.
Sezonin e fundit, menaxhimi i mirë i situatës ka sjellë një bilanc më të pranueshëm, dhe humbje të përgjysmuara, por vetëm një aksioner i ri i fuqishëm mund të ndryshonte situatën. Shumë ndërkohë ëndërrojnë lajme të mira nga Arabia Saudite, aty ku Interi ka zyrtarizuar një tur përgatitor.