“A mundet një grusht individësh diku në Kremlin të vendosë nëse do të ketë ushqim në tryezat e njerëzve në Egjipt apo Bangladesh? Një përgjigje e fortë ndërkombëtare nevojitet tani si në OKB ashtu edhe në nivele të tjera, duke përfshirë G 20”.
Kështu deklaroi presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky në videon e zakonshme të mbrëmjes, duke sulmuar Rusinë pasi u ndalua marrëveshja për eksportet e grurit.
Asnjë lëvizje mallrash për transportin e grurit ukrainas në Detin e Zi nuk është autorizuar për sot, njoftoi Qendra e Përbashkët Koordinuese (JCC) përgjegjëse për mbikëqyrjen e marrëveshjes ndërkombëtare të nënshkruar verën e kaluar.
“Një marrëveshje e përbashkët për lëvizjet dalëse dhe hyrëse të anijeve të mallrave nuk u arrit më 30 tetor,” tha Qendra në një deklaratë të lëshuar gjatë natës, pasi Moska pezulloi pjesëmarrjen e saj në marrëveshjen e nënshkruar më 22 korrik në Stamboll, duke përmendur një sulm me dron në anijet e saj.
Qendra, e cila mbledh së bashku delegatë nga Rusia, Ukraina, Turqia dhe OKB-ja në Stamboll, tha se ishte informuar nga Rusia për “shqetësimet e saj të sigurisë së ngarkesave” dhe ia kaloi ato delegacioneve turke dhe ukrainase.
Pas sulmit në Krime, Rusia pezulloi marrëveshjen e grurit për një kohë të pacaktuar. Një vendim ky që për Kievin është “një pretekst i rremë”, ndërsa SHBA e quajti vendimin skandaloz.
OKB-ja ndërkohë përpiqet të ndërmjetësojë.
Katër anije luftarake të Flotës së Detit të Zi të Federatës Ruse, raportohet se shpërthyen në Gjirin e Sevastopolit. Rusia akuzoi Britaninë se ka kontribuar në përgatitjen e sulmit me dron në Krime dhe se është përfshirë në shpërthimet që ndodhën në gazsjellësin Nord Stream.
Por Britania i ka mohuar akuzat e Rusisë që ka ndihmuar Ukrainën të sulmojë me dronë Krimenë, duke thënë se Rusia po i çon pretendimet e rreme në një shkallë epike.