Serbia tradicionalisht mban lidhje të ngushta me Rusinë. Por me fillimin e luftës në Ukrainë, qeveria federale e Gjermanisë tani po kërkon një vendim nga vendi ballkanik: të zgjedhë rrugën drejt BE-së ose një partneritet me Rusinë.
Sipas mediumit gjerman Welt.de, qeveria federale e Gjermanisë po kërkon gjithnjë e më shumë një vendim nga Serbia për të zgjedhur një rrugë drejt BE-së ose një partneritet me Rusinë.
“Nevoja për një vendim po bëhet më e mprehtë në funksion të zhvillimeve gjeopolitike”, citohet të ketë thënë të martën një përfaqësues i qeverisë në Berlin, duke iu referuar luftës së agresionit rus në Ukrainë.
Në prag të konferencës për Ballkanin Perëndimor në Berlin të enjten, u tha se Gjermania ishte “e habitur dhe e zhgënjyer” që Serbia kishte nënshkruar një marrëveshje për rritjen e bashkëpunimit me Rusinë.
Dhe kjo nuk “përshtatet” me pritjet që kandidatët për anëtarësim në BE duhet të miratojnë gjithashtu sanksionet e Bashkimit Evropian kundër Rusisë.
Ndërsa sa i përket pozicionimit të presidenti serb Aleksandar Vuçiq, si një politikan me përvojë, Gjermania e di mirë pozicionin e tij mes BE-së dhe Rusisë.
“Por po bëhet gjithnjë e më e pakëndshme të gjendesh në atë pozicion”, kanë thënë qarqet qeveritare në Berlin.
Andaj, nëse Vuçiq vendos ta udhëheqë vendin e tij drejt BE-së, ai ka mbështetjen e qeverisë federale.
“Nëse ai vendos të shkojë në anën tjetër, do të ketë pasoja të kundërta”, citohet të ketë thënë ai.
Mediumi në fjalë shton se Serbia tradicionalisht mban lidhje të ngushta me Rusinë ndërkohë që vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor dhe BE-ja kanë frikë se Rusia dëshiron të ushtrojë ndikim në rajon përmes qeverisë në Beograd.