Ben Foster, ish-portier i Manchester United dhe kombëtares angleze, ka treguar një moment të keq që ka kaluar gjatë karrierës së tij.
Ai kujton se Fabio Capello, trajneri i atëhershëm i Anglisë, nuk e lejoi që të ishte i pranishëm në lindjen e djalit të tij.
“Gruaja ime ishte gati të lindte, sapo i kishin plasur ujërat. I shkrova trajnerit dhe ai m’u përgjigj se do të fillonim stërvitjen për gjysmë ore.
E pyeta nëse mund ta shoqëroja gruan time në spitalin e Mançesterit, por ai këmbënguli në të vetën. Tha se kishte nevojë për mua, edhe pse ishte thjesht miqësore dhe unë do të luaja në pjesën e dytë.
Nuk më aktivizoi fare, qëndrova 90 minuta në stol. Kështu që humba rastin për të parë lindjen e djalit tim”, tregon Foster.