“Ndryshe nga Britania, ne nuk do të mbështesim kurrë akte terrorizmi dhe pasigurie në vende të tjera, por nuk kemi as përgjegjësi për të parandaluar pasigurinë në këto vende”, tha ai
Ministri iranian i Inteligjencës, Esmail Khatib, ka akuzuar Britaninë për nxitjen e protestave në vendin e tij dhe deklaroi se Britania do të paguajë çmimin për veprimet e saj që synojnë ta bëjnë Iranin të pasigurt, transmeton Anadolu Agency (AA).
Khatib, deklaratat e të cilit janë publikuar në faqen zyrtare të liderit iranian Ajatollah Ali Khamenei, ka pretenduar se Britania nxit protestat në vendin e tij.
Ministri iranian ka kritikuar qeverinë britanike lidhur me çështjen e aktiviteteve të televizionit “Iran International”, i cili transmeton në gjuhën perse nga Londra dhe i cili nga administrata e Teheranit akuzohet për “transmetime me përmbajtje dezinformuese për të nxitur trazirat në vendin e tyre”.
Khatib theksoi se institucioni mediatik “Iran International” në Iran është përfshirë në kuadrin e “organizatës terroriste”.
“Ndryshe nga Britania, ne nuk do të mbështesim kurrë akte terrorizmi dhe pasigurie në vende të tjera, por nuk kemi as përgjegjësi për të parandaluar pasigurinë në këto vende. Britania do të paguajë çmimin për veprimet e saj që ajo ka kryer për ta bërë Iranin të pasigurt”, tha ai.
– Protestat në Iran
Vdekja e 22-vjeçares Mahsa Amini më 16 shtator, e cila u sëmur dhe u dërgua në spital pasi u ndalua më 13 shtator nga patrullat e Irshad-it, e njohur si “policia e moralit” në Teheran, shkaktoi protesta kundër qeverisë së vendit në Iran.
Edhe pse nga burimet zyrtare janë bërë deklarata se në incidente ka pasur vdekje nga civilët dhe forcat e sigurisë, lidhur me numrin e të vdekurve nuk jepet informacion i qartë.
Javën e kaluar, Organizata iraniane e të Drejtave të Njeriut (IHR) me qendër në Norvegji njoftoi se numri i personave që kanë humbur jetën në protesta është 304. Ndërsa sipas lajmeve të pasqyruara në median iraniane gjatë protestave kanë humbur jetën mbi 40 punonjës të sigurisë.
Ngjarjet që vazhdojnë prej rreth dy muajsh, administrata e Iranit i vlerëson si “komplot i fuqive si SHBA, Izraeli dhe Britania, të cilat synojnë ndarjen e vendit”. Administrata e Teheranit gjithashtu mbron qëndrimin e saj se televizioni “Iran International” mbështetet nga Arabia Saudite.