Me një dorështrëngim të ngrohtë nisi takimi i shumëpritur i dy liderëve të superfuqive globale. Në ballafaqimin e parë ballë për ballë në dy vite, Presidenti amerikan, Joe Biden, dhe homologu kinez, Xi Jinping, diskutuan gjithçka:
duke nisur nga lufta e Rusisë në Ukrainë, tensionet për Tajvanin, kriza me Korenë e Veriut, shkëmbimet tregtare, me fokus në fushën e teknologjisë, e deri të forma që duhet të ketë rendi botëror.
Në këtë takim, që vjen falë samitit të G20-ës në Bali të Indonezisë, udhëheqësit adresuan shqetësimet por edhe përplasjet e vazhdueshme mes dyja vendeve.
“Si liderë të dy shteteve tona, ne ndajmë përgjegjësinë, sipas pikëpamjes sime, që të tregojmë se Kina dhe Shtetet e Bashkuara mund të menaxhojnë dallimet dhe të parandalojnë që konkurrenca të shndërrohet në një konflikt të afërt”, deklaroi Biden.
“Si liderë të dy vendeve të mëdha ne duhet të gjejmë rrugën e duhur për raportet tona. Bota pret që Kina dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës ta menaxhojnë mirë situatën. Takimi ynë ka tërhequr vëmendjen e botës, prandaj ne duhet të punojmë me të gjitha vendet për të sjellë më shumë shpresë dhe paqe në botë, besim më të madh dhe stabilitet global”, tha Xi Jinping.
Dy udhëheqësit e shfrytëzuan këtë takim për të treguar vijat e tyre të kuqe që nuk duhen shkelur. Por Biden pati kërkesat kryesore duke nisur nga thirrja ndaj Pekinit që t’I bëjë presion Rusisë për t’I dhënë fund luftës në Ukrainë, të mos përshkallëzojë kërcënimet ndaj Tajvanit dhe të rikthejë në normalitet eksportimin e çipeve dhe mikroçipeve, shumë të nevojshme për ekonominë amerikane dhe globale.
Synimi kryesor I të dyja palëve është që të ndërtohet një bazament për raportet mes SHBA-ve dhe Kinës për të frenuar përshkallëzimin e mëtejshëm të tyre, edhe pse tani vlerësohen se janë në pikët më të ulët në histori.