Dy raketat që kanë goditur një fshat në Poloni, pranë kufirit me Ukrainën, duke vrarë dy persona, mund të kenë qenë mbetje të raketave ruse që janë shkatërruar nga mbrojtja e Ukrainës.
Sipas gazetarit Mariusz Gierszewski, shpërthimet që i morën jetën dy personave në vendin anëtar të NATO-s janë shkaktuar nga mbetjet e raketës që u neutralizua nga forcat e armatosura të Ukrainës.
Menjëherë pas lajmit, kryeministri i Polonisë, Mateusz Morawiecki, ka thirrur Komitetin e Sigurisë Kombëtare dhe të Çështjeve të Mbrojtjes.
Pas goditjes me raketa në Poloni ka ardhur edhe reagimi i Pentagonit. Përmes zëdhënësit Pat Ryder, SHBA thekson se do të mbrojë çdo pëllëmbë të territorit të Aleancës.
“Angazhimi ynë ndaj nenit 5 të NATO-s është i qartë: Do të mbrojmë çdo pëllëmbë të territorit të Aleancës”, tha zëdhënësi i Pentagonit, Pat Ryder.
Ndërsa NATO theksoi se po pret sqarimin e asaj që ndodhi.
“I shpreha ngushëllimet e mia për humbjet e jetëve. NATO po monitoron situatën dhe aleatët tanë po konsultohen. Është e rëndësishme që të sqarohen të gjitha faktet”, shkroi Stoltenberg në Twitter.