Për Ramush Haradinajn, ish-kryeministër i Kosovës, pasardhësi i tij i ka bërë dëme të mëdha vendit me qasjen egoiste dhe pa plan.
Sjelljet e tij, thotë Haradinaj, është “jo vetëm e pakuptueshme por edhe e rrezikshme”.
“Mospërfillja e kërkesës amerikane për shtyrjen e zbatimit të vendimit për targat, e ka sjellë situatën buzë shpërthimit. Kemi ardhur në një situatë që do të mund të rrezikonim jetët e qytetarëve të Kosovës por edhe të policëve”, deklaron ai.
“E gjithë kjo, për arsye krejt të paqëndrueshme, për ta kthyer situatën e para një muaji, ku kursi i gabuar që kishte zgjedhur Kryeministri, ka shkaktuar dëme të mëdha, duke asgjësuar një punë të jashtëzakonshme që ishte bërë gjatë gjithë këtyre viteve për integrimin e serbëve në institucionet e vendit”.
Haradinaj shkruan se ka shumë kundërshtarë të Kurtit që i gëzohen “fundosjes politike të tij”, por “unë jam i shqetësuar”.
“Jo për dështimin e Kryeministrit, por për dështimin e të gjithë neve si Kosovë”.
“Jam tejet i shqetësuar me faktin se sot në sytë e BE dhe të SHBA, Kosova nga viktimë është shndërruar në fajtor për situatën e krijuar, ndërsa Serbia është shndërruar në partner konstruktiv”.
Më pas, në një status të gjatë, Haradinaj rendit të gjitha situatat, për të cilat mendon se Kurti ka faj.
“Kurti arriti t’i dëmtojë marrëdhëniet e Kosovës edhe me SHBA edhe me evropianët; Kurti arriti ta heqë nga tavolina draftin dhe përpjekjen për të arritur marrëveshje përfundimtare për njohje me Serbinë; Kurti arriti të vendosë populizmin dhe egoizmin e tij mbi interesat e shtetit të Kosovës; Kurti arriti ta nxjerrë veriun nga kontrolli i Kosovës; Kurti arriti ta kthejë shtetin e Kosovës në shtetin e një individi që vet vendosë dhe vet vulosë; Kurti arriti të rikthejë tensionet për të cilat askush nuk mund ta parashikojë fundin”, shkruan Haradinaj, duke vazhduar.
“Kurti arriti ta çojë Kosovën në prag të ndarjes së veriut nga pjesa tjetër e shtetit; Dhe në fund, Kurti arriti të dëmtojë rëndë imazhin e Kosovës demokratike, multietnike, të përgjegjshme dhe që merr vendime të bashkërenduara me partnerët ndërkombëtarë duke e kthyer nga kontribues të stabilitetit në rajon, në element destabilizues”.
Për shkak të këtyre fajeve, Haradinaj deklaron se Kurti “ka vetëm një rrugë”.
“Bashkëpunimi i ngushtë e pa kushte me partnerët tanë, posaçërisht me SHBA. Dhe këtë duhet ta bëjë jo për vete dhe qeverinë e tij, por për vendin, siguria e të cilit sot është më e rrezikuar se asnjëherë më parë”, përfundon statusi i gjatë i Haradinajt.




