Vladimir Putin ka marrë pjesë në një takim televiziv me nënat e ushtarëve rusë të dislokuar në Ukrainë.
Ai u tha nënave që të mos besojnë gjithçka që shohin në televizion apo lexojnë në internet, duke pretenduar se ka shumë lajme të rreme që qarkullonin për luftën dhe se realiteti është krejtësisht ndryshe.
Në takimin e regjistruar paraprakisht, ai tha se udhëheqja ruse ndau dhimbjen e familjeve që kishin humbur të dashurit dhe se asgjë nuk mund të zëvendësojë agoninë e humbjes së një djali.
“Dëshiroj ta dini se unë personalisht dhe e gjithë lidershipi i vendit ndajmë dhimbjen tuaj. Ne e kuptojmë se asgjë nuk mund të zëvendësojë humbjen e një djali – veçanërisht për një nënë. Ne e ndajmë këtë dhimbje”, tha lideri rus.
Ai tha se nuk ishte penduar për fillimin e asaj që e quan “operacionin special ushtarak” të Rusisë kundër Ukrainës, duke e cilësuar luftën si një moment vendimtar kur Moska më në fund iu kundërvu hegjemonisë perëndimore.
E diela shënon Ditën e Nënës në Rusi, kështu që takimi është mbajtur për të përkuar me festën, raporton skynews.
Qindra mijëra rusë janë dërguar për të luftuar në Ukrainë, duke përfshirë 300 mijë rezervistë.
Rusia zbuloi për herë të fundit publikisht humbjet e saj ushtarake më 21 shtator, kur ministri i mbrojtjes Sergei Shoigu tha se 5,937 trupa ishin vrarë.
Megjithatë, vlerësimet ndërkombëtare e vënë numrin shumë më të lartë.
Gjenerali më i lartë i Amerikës vlerësoi më 9 nëntor se Rusia dhe Ukraina kishin parë secila më shumë se 100 mijë ushtarë të tyre të vrarë ose të plagosur.