Të paktën 3 persona kanë humbur jetën dhe 11 te tjerë mbetën të plagosur pasi një 16-vjeçar i armatosur hapi zjarr brenda ambienteve të dy shkollave të ndryshme në Brazil.
Autoritetet në qytezën Aracruz, në shtetin Espirito Santo, thanë se atentatori hapi zjarri në drejtim të një grupi mësuesish të premten në mëngjes, duke vrarë 2 prej tyre e duke plagosur disa të tjerë. Më pas ai u largua nga shkolla publike dhe iu drejtua një shkolle private aty pranë, ku vrau një vajzë adoleshente dhe plagosi dy persona të tjerë.
Guvernatori i shtetit, Renato Casagrande, tha se policia e ka arrestuar vrasësin dhe shpalli 3 ditë zie për viktimat. “Deri në qershor ai ishte nxënës në shkollën publike. Ishte 16 vjeç, i mitur. Familja e tij më pas e transferoi në një shkollë tjetër. Kemi informacion se ishte duke iu nënshtruar trajtimeve psikologjike”, tha Casagrande në një konferencë për mediat. Ai shtoi gjithashtu se disa të plagosur ishin ende në rrezik për jetën për shkak të plagëve të rënda.
Pamjet e publikuara në mediat braziliane, të kapura nga kamerat e sigurisë, tregojnë momentin kur adoleshenti, me veshje kamuflazhi, futet në shkollë me armën në dorë. E teksa nxënësit dhe mësuesit vrapojnë të tmerruar ai nis të qëllojë në drejtim të tyre. Hetuesit thanë se ai kishte një kryq të thyer nazist në uniformë.