Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, i bën thirrje Britanisë së Madhe për të shprehur çfarë dëshiron nga Brexit-i, pasi kryeministri britanik, Boris Johnson ndau perspektivën e Londrës në një bisedë telefonike me kancelaren gjermane, Angela Merkel.
“Ajo çfarë është në diskutim, nuk është të fitosh një lojë qesharake se kush e ka fajin. Në diskutim është e ardhmja e Evropës dhe Britanisë së Madhe si dhe siguria dhe interesat e popujve tanë. Nuk doni marrëveshje, nuk doni shtyrje afati, nuk doni revokim, ku po shkoni? ”, shkruan Tusk në një postim në Twitter.
Zëdhënësja e Komisonit Europian, Mina Andreeva, thekson se qëndrimi europian nuk ka ndryshuar.
“Duam një marrëveshje. Po punojmë për një marrëveshje me Britaninë e Madhe”, deklaroi ajo./ATSH/