Britania e Madhe po përjeton një dimër të vështirë. Në mbarë mbretërinë ka nisur të martën e para e katër ditëve grevë e punonjësve të hekurudhave, për paga dhe kushte më të mira pune.
Sipas sindikatës kryesore të sektorit, RMT, 40 mijë punonjës në mbarë vendin kanë ulur veglat e punës. Përveç se në dhjetor, ata kanë paralajmëruar edhe 4 ditë të tjera grevë në janar.
Por nuk janë vetëm hekurudhat. Edhe punonjës të tjerë të sektorit të transporteve, si agjentët e policisë kufitare, që kontrollojnë pasaportat dhe bagazhet, po planifikojnë një aksion industrial periudhën e Krishtlindjes.
E shoqëruar me problemet e krijuara nga dëbora, greva pritet ta bëjë javën shumë të vështirë për pasagjerët.
Ndërkohë, në shëndetësi, infermieret do të braktisin punën, për plotësimin e kërkesës për një rritje me 19% të pagave, që për qeverinë është e papërballueshme.
Autoritetet do të angazhojnë ushtrinë për të reduktuar pasojat e grevave, ku kanë hyrë edhe shoferët e ambulancave.
Gjithçka është pjesë e një vale masive e braktisjes së punës në Britani, me numrin e ditëve të bojkotit që kanë arritur nivelin më të lartë në më shumë se një dekadë.
Ajo çka ka nxitur këtë pakënaqësi është inflacioni i lartë, që muajin e kaluar preku kuotën e 11 përqindëshit.
Me parashikimet që Mbretëria e Bashkuar do të hyjë në recesion, situata ekonomike është e zymtë, edhe pse në prag të Krishtlindjes.