Për më shumë se një dekadë, debati më i madh i futbollit në të gjithë botën ishte, kush është më i mirë, Lionel Messi apo Cristiano Ronaldo?
Me fitimin e Kupës së Botës nga Argjentina këtë të diel, duket se për shumicën, debati tashmë ka marrë fund. Messi kurorëzohet lojtari më i mirë në botë, duke mundur kështu përfundimisht Ronaldon, i cili me Portugalinë e tij u eliminua në çerekfinale, për më tepër mes polemikave për mosaktivizimin e tij si titullar.
Legjendat e futbollit rreth botës kanë nxituar të vlerësojnë argjentinasin për këtë arritje të jashtëzakonshme.
Sipas ish-mbrojtësit të Anglisë, Jamie Carragher, Messi është lojtari më i mirë në historinë e futbollit. “Debati mbaroi”, shkroi ai në Twitter, duke renditur 5 më të mirët sipas tij: “Messi, Maradona, Pele, Ronaldo, Zidane”, por pa specifikuar se bëhet fjalë për Cristiano Ronaldon apo Ronaldon brazilian.
Bastian Schweinsteiger, i cili në vitin 2014 mundte pikërisht Messin në finalen e Botërorit, gjithashtu vlerësoi paraqitjen e argjentinasit. “Më në fund kurorëzoi karrierën e tij madhështore”, shkroi gjermani.
Boksieri dhe personazhi i famshëm i YouTube, Jake Paul, shkoi deri aty sa e cilësoi Messin si sportistin më të mirë të të gjitha kohërave, duke e vendosur edhe mbi Mohammad Ali.