16 ditë nga vendosja e barrikadave në veri – autoritetet kosovare paralajmërojnë heqjen e tyre nëse këtë nuk e bënë KFOR-i

albnews
By
3 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!

Janë bërë 16 ditë që kur grupe të serbëve, vendosen barrikada në disa rrugë në veri të Kosovës, duke kundërshtuar kështu arrestimin e ish-zyrtarit policor, Dejan Pantiq.

Për shkak se barrikadat kanë bllokuar rrugët që çojnë drejt pikëkalimeve kufitare, Jarinjë dhe Bërnjak – që lidhin Kosovën dhe Serbinë – këto dy pika vazhdojnë të jenë të mbyllura për qarkullim që nga 10 dhjetori.

E për situatën atje faktori ndërkombëtar ka kërkuar që kjo të zgjidhet përmes dialogut.

KFOR-i të premten kërkoi zgjidhje përmes dialogut dhe që të shmangen shfaqjet provokuese të forcës.

“Ne i bëjmë thirrje të gjithëve palët për të ndihmuar në sigurimin dhe lirinë e lëvizjes në Kosovë, dhe për të parandaluar që narrativat mashtruese të ndikojnë në procesin e dialogut”, u tha në njoftimin e KFOR-it.

Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka paralajmëruar se pas Krishtlindjeve do të takohet me komandantin e KFOR-it, për të sqaruar se si do veprohet me barrikadat në veri të Kosovës.

Në një konferencë për media të shtunën, Kurti tha se Qeveria është në pritje që KFOR-i të veprojë, por “kjo nuk mund të tolerohet pafundësisht”, sepse këto nuk janë barrikada civile, por “barrikada të njerëzve të uniformuar dhe të armatosur”.

Më 22 dhjetor, ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se nëse KFOR-i nuk vepron, Kosova do t’i heq barrikadat.

Në të njëjtën ditë, kreu i Listës Serbe, Goran Rakiq, paraqiti kushtet për heqjen e barrikadave gjatë një proteste në Rudar.

Ai kërkoi që paraprakisht të lirohen serbët e arrestuar, të tërhiqen “listat sekrete për arrestimin dhe pushkatimin e serbëve” dhe të tërhiqen njësitë speciale të Policisë së Kosovës nga veriu.

Në veri të Kosovës janë vendosur gjithsejtë 11 barrikada. Vërehet prezencë e shtuar e pjesëtarëve të KFOR-it, në të dy drejtimet e kufijve me Serbinë.

Policia e Kosovës ka shtrirë pikëkontrollet e saj në drejtimin Mitrovicë-Leposaviq me qëllim të pengimit të aktiviteteve kriminale, por duke siguruar kështu edhe lëvizjen e lirë.

Pjesëtarët e Policisë së Kosovës po vazhdojnë patrullimin e tyre edhe nëpër zonat me popullatë të përzier në veri të Mitrovicës, duke ofruar rend dhe siguri për të gjithë qytetarët pa dallim. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se barrikadat do të largohen kur të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë, të cilin Prishtina zyrtare e kundërshton.

Share This Article