Një megaprojekt që mund të ndryshojë përgjithmonë të ardhmen e shoqërisë njerëzore, është në zhvillim e sipër. Në Singapor, një seri tunelesh të gjera po ndërtohen rreth 60 metra nën tokë, poshtë qendrave tregtare apo metrove të qytetit.
I parashikuar fillimisht në mesin e viteve 1990, plani nëntokësor mund të ndikojë në infrastrukturën e qyteteve anembanë botës, duke u munduar të ruajë dy burime të çmuara: hapësirën dhe ujin.
“Ne u përballëm me sfidat e një popullsie në rritje dhe si rrjedhojë edhe ndërtimet u shtuan në kohë rekord. Kjo gjë bëri që ne të kishim vështirësi në zgjerimin e kanalizimeve të ujërave të zeza, si dhe në furnizimin me ujë të pastër. Ndaj duhen të gjenim një zgjidhje të qëndrueshme.”Woo Lai Lynn, inxhinieri kryesor i projektit
Nga faza e parë e punimeve që përfundoi në vitin 2008 dhe kushtoi rreth 2.5 miliardë dollarë, u realizuan 48 kilometra tunele të thella kanalizimesh dhe një fabrikë uji. Faza e dytë filloi në nëntor 2017 dhe pritet të përfundojë në vitin 2026. Projekti i plotë do të lirojë rreth 150 hektarë tokë dhe kjo do të ndihmojë në furnizimin me ujë duke trajtuar deri në dy milionë metra kub ujëra të zeza në ditë.
Me tokë të kufizuar në dispozicion, Singapori ka filluar të përdorë hapësirën nëntokësore, jo vetëm për transportin, por edhe për struktura të tjera të rëndësishme. Megjithatë, nuk është vendi i parë që ka vendosur të përdorë nëntokën. Helsinki, kryeqyteti finlandez, ka një zhvillim të gjerë nëntokësor, kompletuar madje edhe me kisha e pishina. Finlanda ka investuar shumë në këtë pikëpamje duke ndërtuar hapësira për të strehuar të gjithë popullsinë e qytetit në rast të një sulmi bërthamor. Gjithashtu, në Kanada, Montreali ka një nga rrjetet më të mëdha nëntokësore të këmbësorëve në botë, që përfshin më shumë se 30 kilometra.
Të jetuarit nëntokë, ka qenë e njohur edhe në kohë të lashta dhe dëshmi e kësaj janë qytetet në Turqi apo Spanjë, ku ende ruhen strukturat e shpellave dhe tuneleve nëntokësore. Frymëzuar nga trashëgimia e së shkuarës, por edhe nga fakti se qytetet po zgjerohen dhe popullsia po rritet shumë, hapësirat nëntokësore mendohet se do të jenë e ardhmja jonë.