Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka promovuar në mënyrë aktive planin e tij të paqes prej 10 pikash, duke e diskutuar atë me Presidentin e SHBA-së, Joe Biden dhe duke u kërkuar liderëve botërorë që të mbajnë një Samit global të paqes bazuar në të.
Por, cilat janë pikat kryesore të planit të tij dhe reagimet ndaj tij dhe cili është plani i paqes prej 10 pikash i Zelensky-t?
• Siguria nga rrezatimi bërthamor, duke u fokusuar në rivendosjen e sigurisë rreth termocentralit më të madh bërthamor në Evropë, Zaporizhzhia në Ukrainë, i cili tani është i pushtuar nga Rusia;
• Siguria ushqimore, duke përfshirë mbrojtjen dhe sigurimin e eksporteve të grurit të Ukrainës në vendet më të varfra të botës;
• Siguria e energjisë, me fokus në kufizimet e çmimeve për burimet energjetike ruse, si dhe ndihma e Ukrainës në rivendosjen e infrastrukturës së saj të energjisë, gjysma e së cilës është dëmtuar nga sulmet ruse;
• Lirimi i të gjithë të burgosurve dhe të dëbuarve, përfshirë të burgosurit e luftës dhe fëmijët e dëbuar në Rusi;
• Rivendosja e integritetit territorial të Ukrainës dhe Rusisë duke e riafirmuar atë sipas Kartës së OKB-së, për të cilën Zelensky tha se “nuk varet nga negociatat”;
• Tërheqja e trupave ruse dhe ndërprerja e armiqësive, rivendosja e kufijve shtetërorë të Ukrainës me Rusinë;
• Drejtësia, duke përfshirë krijimin e një gjykate speciale për të ndjekur penalisht krimet ruse të luftës;
• Parandalimi i ekocidit dhe mbrojtja e mjedisit, me fokus në çminimin dhe restaurimin e objekteve të trajtimit të ujit;
• Parandalimi i një përshkallëzimi të konfliktit dhe ndërtimi i arkitekturës së sigurisë në hapësirën euroatlantike, duke përfshirë garancitë për Ukrainën;
• Konfirmimi i përfundimit të luftës, duke përfshirë një dokument të nënshkruar nga palët e përfshira.
Propozimi i Zelensky për samitin global të paqes dhe reagimi i botës:
Në dhjetor, Zelensky u kërkoi udhëheqësve të vendeve të Grupit të Shtatë (G7) të mbështesin idenë e tij për një samit global të paqes që do të fokusohej në planin e paqes “në tërësi ose në disa pika specifike në veçanti”.
Rusia hodhi poshtë propozimin e paqes të Zelenskyy këtë muaj dhe përsëriti të martën se nuk do të heqë dorë nga asnjë territor që ka marrë me forcë, që është rreth një e pesta e Ukrainës, të cilën ajo thotë se e ka aneksuar.
Zelensky ka qenë në një përpjekje diplomatike duke ia paraqitur planin e tij liderëve duke përfshirë Biden, presidentin francez, Emmanuel Macron dhe kryeministrin indian, Narendra Modi, vendi i të cilit ka marrë presidencën e G20.
Mbështetja e botës perëndimore për ushtrinë e Ukrainës ka arritur në miliarda dollarë, të udhëhequr nga Uashingtoni, dhe kombet kanë nxituar të ndihmojnë Kievin me çminimin dhe rregullimin e infrastrukturës së tij të energjisë.
Por përgjigjja ndaj planit të paqes të Zelensky dhe samitit të tij të propozuar të paqes ka qenë më e kujdesshme.
Gjatë vizitës së liderit ukrainas në Uashington më 22 dhjetor, Biden tha në komente publike vetëm se ai dhe Zelensky “ndajnë saktësisht të njëjtin vizion” për paqen dhe se Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për të siguruar që Ukraina mund të mbrohet.
Udhëheqësit e G7-s thanë se ishin të përkushtuar për të sjellë paqen në Ukrainë “në përputhje me të drejtat e saj të mishëruara në Kartën e OKB-së”.