Analisti i njohur britanik dhe njohësi i çështjeve të Ballkanit, Tim Judah, në tekstin e publikuar për “Un Herd” me titull “A do të përfundojë ndonjëherë lufta e Kosovës?”, ndër të tjera flet edhe për raportet mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq.
Në tekstin e tij Judah thotë se “Kurti mendon se Serbia nuk është e interesuar për një kompromis, kurse Vuçiq thotë se Serbia nuk do ta njohë kurrë Kosovën”.
Analisti britanik tregon se Kurti i ka thënë që Vuçiq ende dëshiron ndarje.
Më tej Kurti i ka thënë se “ai [Vuçiq] sikur është ‘në kërkim të makinës së kohës… herë dëshiron të kthehet në vitin 1999 e herë në 2007 [para shpalljes së pavarësisë së Kosovës], por ju e dini… treni është larguar nga stacioni. Nuk mund të kthehemi më atje’”.
Sipas Judah “shumë prej diplomatëve e shohin Kurtin kokëfortë dhe kjo i ka humbur atij njëfarë mbështetjeje perëndimore, por politika e tij për të luajtur topin e ashpër me Vuçiqin ka dhënë rezultate”.
“Vuçiq është në disavantazh, i është dashur të lëshojë pe për disa çështje gjatë muajve të fundit: më 15 dhjetor, Kurti aplikoi për kandidaturën në BE dhe gjithashtu ka siguruar një premtim senga viti 2024 qytetarët e Kosovës nuk do të kenë nevojë të pajisen me viza Schengen”, shkruan Judah.
Analisti britanik thotë se “Megjithatë, mes gjithë këtyre zgjidhjeve teknike, një pjesë e problemit [mes Kurtit dhe Vuçiqit]- në fakt, një pjesë shumë e madhe e problemit – është personale”.
“Disa vite më parë, intervistova Hashim Thaçin, i cili kishte qenë një udhëheqës i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kur Vuçiq ishte ministër në qeverinë e Millosheviqit. Kur mbaroi intervista më pyeti: ‘A po e sheh Aleksandrin?’ Në fillim u stepa, më pas kuptova se ai po fliste për Vuçiqin”.
“Në ditët e sotme nuk ka thirrje të tilla emrash. Vuçiq dhe Kurti e përçmojnë njëri-tjetrin. Kur Vuçiq ishte ministër, Kurti ishte i burgosur politik në një burg serb; më 1 dhjetor, Vuçiq e quajti publikisht Kurtin ‘llum terrorist’. Mungesa e çdo raporti personal e bën shumë më të vështirë gjetjen e një marrëveshjeje”, shkruan Judah. /