Presidentja e vendit, Vjosa Osmani sot do të pres në takim të Dërguarin e Posaçëm të Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor, Lord Stuart Peach.
Sipas njoftimit, takimi do të zhvillohet në ora 15:00.
Në takimin e fundit mes Peach dhe Osmanit, ishte diskutuar për zhvillimet e fundit në rajon dhe kontinent.
Presidentja Osmani i pati përsëritur përkushtimin e institucioneve të Republikës së Kosovës për paqe dhe siguri, duke nënvizuar se Kosova vazhdon të jetë në vijë të njëjtë me partnerët ndërkombëtar për këto çështje.
Presidentja gjithashtu e kishte falenderuar emisarin Peach për angazhimin dhe mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar për Kosovën, gjersa ka shprehur vendosmërinë që të vazhdohet koordinimi me Mbretërinë e Bashkuar si një nga aleatët kryesor dhe historik të Republikës së Kosovës.
Por, përveç Osmanit, emisari britanik do të takohet edhe me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Sipas njoftimit të ZKM-së, takimi do të mbahet në orën 16:00.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, pret në takim Lord Stuart Peach, i Dërguar i Posaçëm i Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor”, thuhet në njoftim.